Fyle: Pse Shqipërisë nuk i jepet statusi kandidat

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle
Bashkimi Europian i refuzon për të dytën herë Shqipërisë dhënien e statusit të vendit kandidat. Ajo që ishte paralajmëruar prej kohësh, u konfirmua dje, ditën kur ishte parashikuar të publikohej progres-raporti. Në orën 12:30, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u paraqit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian ku prezantoi paketën e zgjerimit. Sa i përket Shqipërisë, ai u shpreh se progresi i vendit mbeti peng i ngërçit politik dhe bojkotit të Kuvendit. Do të kisha dashur të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive, se palët politike do të rrisin bashkëpunimin. Është urgjente të nisin dialogun e të mbajnë një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin në BE,- tha Fyle. Sipas tij, ka shumë arsye që Shqipëria nuk eci përpara që nga koha kur Komisioni Europian publikoi 12 rekomandimet për vendin tonë. Ai është ngërçi politik. Ajo që nevojitet, është që qeveria të sigurojë kushte që procesi të jetë gjithëpërfshirës, që opozita të luajë një rol konstruktiv,- nënvizoi Fyle, duke shprehur gatishmërinë e KE-së për të ndihmuar partitë politike që të tejkalojnë interesat personalë për të arritur progres, për realizimin e reformës elektorale, si dhe në zbatimin e 12 rekomandimeve të KE-së
Sinjalet pozitive
Pas mbledhjes në Parlamentin Europian, në orën 14:15, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, doli para mediave për të prezantuar në vija të përgjithshme progres-raportin për tetë vende aspirante për tu bërë anëtare të Bashkimit Europian. Ai iu referua zhvillimeve të fundit në vend, për të cilat tha se ka sinjale pozitive për rivendosjen e marrëdhënieve mes qeverisë dhe opozitës. Në Shqipëri, progresi u dëmtua nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfrontuese. Së fundmi, ka disa sinjale më pozitive, e se partitë politike duan të rivendosin marrëdhëniet. Kjo kërkohet në mënyrë urgjente, pra që partitë politike të vendosin dhe të ruajnë një nivel bashkëpunimi që do të mundësonte progres drejt Bashkimit Europian, u shpreh Fyle. Komisioneri për Zgjerimin konfirmoi sërish qëndrimin e Brukselit për të ndihmuar forcat politike në vend për tejkalimin e kësaj situate. Më lejoni të rifreskoj vendosmërinë e Komisionit e të Parlamentit Europian gjithashtu, për të ndihmuar të gjitha palët në Shqipëri që të kapërcejnë mosbesimin personal dhe që të hedhin bazat, në mënyrë që qeveria të jetë e aftë të krijojë mundësitë që procesi i integrimit europian të jetë gjithëpërfshirës, dhe për opozitën që të jetë një partner konstruktiv në këtë proces, theksoi më tej zyrtari i lartë i Komisionit Europian.
Liria e shprehjes
Liria e shprehjes vazhdon të respektohet në përgjithësi, megjithëse progresi në këtë fushë ka qenë shumë i limituar. Një zhvillim pozitiv është roli i gazetarisë investigative në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit, thuhet në progres-raport. Ndërsa për luftën kundër terrorizmit të Shqipërisë, theksohet se Ka pasur progres në luftën kundër terrorizmit. Në janar 2011 u bë anëtare e Iniciativës Rajonale për bashkëpunimin e policisë ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Përgatitjet në këtë fushë po avancojnë në mënyrë të moderuar.
Ekonomia
Sipas raportit të Komisionit Europian, me gjithë vështirësitë në ekonominë globale, në Shqipëri treguesit janë pozitivë. Progresi në reformat strukturale ka qenë i limituar. Në kontekstin e situatës ekonomike ende të vështirë të partnerëve tregtarë të Shqipërisë, rritja ekonomike e projektuar në program është nga ana optimiste. Me gjithë ambientin më të polarizuar politik, ka pasur marrëveshje të gjerë mbi gjërat kryesore të tregut ekonomik. Në përgjithësi, konsensusi mbi themelet e ekonomisë së orientuar nga tregu janë ruajtur, thuhet në raport.
Pronat
Brukseli kritikon qeverinë shqiptare edhe për sa i përket çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. Të drejtat e pronës mbeten një çështje shumë shqetësuese. Ka pasur shumë pak progres të dukshëm në zhvillimin e një strategjie për reformën e pronës, e cila është një prioritet kryesor i Opinionit, ose për reformimin e strukturës institucionale dhe ligjore të rëndësishme. Koordinimi i strukturës në Ministrinë e Drejtësisë nuk është vendosur ende. Megjithëse është bërë progres, procesi i regjistrimit fillestar i pronës së patundshme nuk është përmbushur ende.
21 janari
Nuk është bërë asnjë progres në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit. Ka pasur shqetësime për shkak të ndërhyrjes dhe pengesës në hetimin e pavarur të Prokurorisë për akuza të mundshme kriminale në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, nga të cilat humbën jetën katër demonstrues. Procesi i përcaktimit të anëtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese mbetet një çështje shqetësuese, sa i përket kohëzgjatjes dhe procesit, e mbi të gjitha në termat e rrezikut të politizimit. Neutraliteti dhe pavarësia e këtyre institucioneve ende nuk garantohen plotësisht.
KE: Ka disa qytetarë që kërkojnë azil
Një pjesë e progres-raportit për vitin 2011 i referohet vendimit të vjetshëm të Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë. Sipas KE-së, vendi ynë nuk i ka plotësuar ende të gjitha kushtet. Pak progres është bërë me politikën e vizave. Shqipëria vazhdon të aplikojë një marrëveshje të regjimit pa viza për qytetarët e disa vendeve jo anëtare të BE-së. Regjimi shqiptar i vizave nuk përputhet plotësisht me kërkesat e BE-së. Përgatitjet në këtë fushë duhet të vazhdojnë. Sipas raportit, ka disa raste kur qytetarët kanë kërkuar azil në vendet e BE. Vendimi i BE për të hequr vizat, u bazua në progresin substancial në fushën e Drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe përmbushjes së disa kushteve specifike të vendosura në udhërrëfyes. Megjithatë, një numër relativisht i vogël azil- kërkuesish dhe emigrantësh të parregullt janë vënë re në zonën Schengen. Me qëllimin për të siguruar zbatimin në vazhdim të angazhimeve të ndërmarra, është vendosur një mekanizëm monitorimi pas liberalizimit të vizave.
KE: Skena politike, një vit pezull
Ngërçi politik që prej vitit 2009, bojkoti i opozitës, ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhjet lokale të tetë majit janë faktorët kryesorë të mosmarrjes edhe këtë vit të statusit të vendit kandidat. Në një material prej 72 faqesh të publikuar në faqen e internetit të Komisionit Europian, menjëherë pas konferencës për shtyp të komisionerit Stefan Fyle, analizohet në mënyrë të detajuar situata politike dhe ekonomike në Shqipëri. Që në fillim të raportit thuhet se Skena politike vendëse e Shqipërisë është dominuar nga një gjendje pezull politike e vazhdueshme dhe bojkoti i njëanshëm në Parlament nga opozita. Incidentet e dhunshme të 21 janarit 2011, të cilat çuan në vdekjen e 4 demonstruesve, e amplifikuan klimën e mosbesimit jo vetëm mes forcave politike, por edhe institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale të 8 majit, si rezultat i numërimit të kundërshtueshëm të votave të hedhura gabim dhe rezultatit të kontestuar në Tiranë, e theksoi edhe më tej polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës. Sipas Komisionit, qeveria ka bërë disa përpjekje për të ecur përpara me axhendën e integrimit, teksa ka përgatitur një plan veprimi për plotësimin e 12 rekomandimeve.
Parlamenti
Sa i takon punës së Kuvendit, raporti vlerëson se është bërë progres modest. Puna e Parlamentit vazhdoi të dëmtohet rëndë nga ngërçi politik mes shumicës dhe opozitës, mungesës së dialogut konstruktiv politik dhe rritjes së