Fyle: Serbia t`i mbajë zgjedhjet në territorin e saj

Komisionari për zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle ka deklaruar se është Prishtina ajo e cila duhet të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, ndërsa Beogradi duhet t`i organizojë ato në Serbi.
“Zgjedhjet lokale në Kosovës duhet t`i organizojë Prishtina, ndërsa në Serbi, Beogradi. Të mos i ngatërrojmë më këto. Kjo nuk është në frymën e aspiratës së BE-së”, ka shtruar Fyle.
Serbia ka shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale në datën 6 maj, duke deklaruar se ato do të mbahen edhe në Kosovë. Ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës. Gjithashtu Kuvendi i Kosovës miratoi dje edhe një rezolutë e cila kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të vendit.