E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle në Prishtinë për negociatat për MSA

Komisioneri Stefan Fyle do të vizitojë nesër Prishtinën për t’u takuar me liderët kosovarë dhe për t’i përgëzuar ata pas dhënies së dritës jeshile nga ana e Këshillit, më 28 qershor, për hapjen e negociatave për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi.

Komisioneri Fyle do të diskutojë për mënyrën më të mirë të përgatitjes për negociata të marrëveshjes për të dyja palët, BE-në dhe Kosovën. Në mesin e temave të agjendës, do të jetë edhe rëndësia e vazhdimit të së njëjtit ritëm të reformave, në veçanti sa i përket zgjedhjeve, sundimit të ligjit dhe çështjeve tregtare.

Komisioneri Fyle do ta inkurajojë gjithashtu lidershipin e Kosovës që të vazhdojë me angazhimin konstruktiv në dialogun me Beogradin dhe të implementojë marrëveshjet e arritura deri më sot.

”Kosova ka bërë një hap të madh në shtegun e saj drejt Bashkimit Evropian. Unë e mirëpres konsensusin politik në Kosovë lidhur me agjendën evropiane dhe për angazhimin e saj me Serbinë. Këto përpjekje të vazhdueshme kanë qenë qenësore në arritjen e këtij suksesi”, tha Komisioneri Fyle./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›