GAZA – Një delegacion i Hamasit në Kajro për të diskutuar armëpushimin

KAJRO, 12 prill /ATSH-AFP/ – Një delegacion i Hamasit pritet sot në Kajro për bisedime me ndërmjetësit egjiptianë për një armëpushim të ri në Rripin e Gazës, tha një zyrtar i lartë nga lëvizja islamike palestineze.
“Ne shpresojmë se takimi do të çojë në përparim të vërtetë drejt një marrëveshjeje që i jep fund luftës dhe agresionit dhe garanton tërheqjen e plotë të forcave pushtuese nga Rripi i Gazës”, tha zyrtari në kushte anonimiteti, duke iu referuar Izraelit.
Sipas tij, Hamasi nuk ka marrë asnjë ofertë të re për armëpushim, pavarësisht raporteve të mediave izraelite se Egjipti dhe Izraeli kanë shkëmbyer draft dokumentet për marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve.
“Por, kontaktet dhe diskutimet me ndërmjetësit janë në vazhdim,” tha ai.
”Delegacioni udhëhiqet nga kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya”, tha ai.
Sipas ”Times of Israel”, propozimi egjiptian do të parashikonte kthimin në Izrael të 16 pengjeve, tetë të gjallë dhe tetë të vdekur, në këmbim të një armëpushimi prej 40 deri në 70 ditë si dhe lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë.
Në sulmin e paprecedentë të Hamasit më 7 tetor 2023, në jug të Izraelit, u rrëmbyen 251 persona.
”Pesëdhjetë e tetë mbahen ende në Gaza, 34 prej të cilëve kanë vdekur”, sipas ushtrisë izraelite.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari midis 19 janarit dhe 17 marsit lejoi kthimin e 33 pengjeve, përfshirë tetë të vdekur, në këmbim të lirimit nga Izraeli të rreth 1 800 të burgosurve palestinezë.
Izraeli rifilloi bombardimin e Rripit të Gazës më 18 mars./ a.jor.