Krimi Ekonomik nis hetimin për ujin e ndotur te “Komuna e Parisit”

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Krimi Ekonomik ka nisur një hetim në terren në Tiranë, pas raportimeve të furnizimit me ujë të ndotur në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Sipas një njoftimi zyrtar të Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, dyshohet se në këtë situatë ka ndikuar çarja e tubacioneve të nëndheshme të ujit.
Në njoftim, bëhet me dije se janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit.
Po ashtu, sipas Krimit Ekonomik në Tiranë është marrë në pyetje Dorjan Korbeci, me detyrë drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes.
Njoftimi i plotë për mediet:
Sot, më datë 11.04.2025, pas informacioneve të marra nga burime të hapura (rrjetet sociale) lidhur me një problematikë të ndotjes së ujit në disa zona të qytetit të Tiranës, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave.
Në vijim të sa më sipër, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, nga ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit.
Gjithashtu, i është marrë deklarim si person që ka dijeni shtetasit Dorjan Korbeci, me detyrë drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.
/r.e/