E Diel, 1 Nëntor 2026

GAZA – Ushtria izraelite vret nëntë të dyshuar si terroristë të Hamasit

TEL AVIV, 15 shkurt /ATSH-DPA/ – Të paktën nëntë palestinezë janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, raportoi sot agjencia palestineze e lajmeve WAFA, duke vënë në dukje se ka pasur sulme vdekjeprurëse në veri dhe jug të rripit bregdetar.

Ushtria izraelite tha se sulmet ishin ndaj objektivave të organizatës terroriste islamike Hamas.

Ushtria deklaroi se po i përgjigjej një shkeljeje nga Hamasi të armëpushimit që ka qenë në fuqi për më shumë se katër muaj.

Ushtria raportoi se “disa terroristë të armatosur” ishin identifikuar në anën izraelite të “vijës së verdhë” në veri të zonës bregdetare të mbyllur.

Vija shënon pozicionin e tërheqjes së ushtrisë izraelite si pjesë e armëpushimit me Hamasin.

”Burrat me sa duket kishin dalë nga një tunel nëntokësor dhe ishin fshehur nën rrënoja në afërsi të trupave izraelite”, tha ajo.

”Të paktën dy prej tyre u vranë, dhe ndoshta më shumë”, shtoi ushtria.

Informacioni i ushtrisë fillimisht nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Trupat izraelite kontrolluan zonën për të gjetur dhe “eliminuar” “terroristët” e mbetur, deklaroi më tej ushtria.

Depërtimi i tyre përtej vijës së verdhë përbënte një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

Që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor, ka pasur incidente të përsëritura vdekjeprurëse në Gaza.

Sipas raporteve të ndryshme, Izraeli kontrollon pak më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, ku jetojnë rreth dy milionë palestinezë.

Zona bregdetare është afërsisht 41 kilometra e gjatë dhe midis 6-12 kilometra e gjerë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›