E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritja e pagave të zjarrfikësve për të gjitha gradat, forcojmë kapacitetet

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë vendimin për rritjen e pagave për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot këtë vendim, si një mesazh të qartë, ku vlerësohet një shërbim gjithmonë e më jetik, lidhur me sigurinë e jetës dhe me mbrojtjen e pronës.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama bëri të ditur se “paga për gradë është rritur si rezultat i indeksimit për të gjitha gradat, por edhe si rezultat i një rritje shtesë për disa funksione sipas politikës së re të pagave”.

“Për asistent zjarrfikës, zjarrfikës, kryezjarrfikës, nënkomisar zjarrfikës dhe komisar zjarrfikës, ka një rritje shtesë të pagës përtej indeksimit. Dhe kostoja financiare për këtë vit do të përballohet nga buxheti i miratuar i institucioneve përkatëse dhe për pushtetin vendor nga fondet e transferuara nga buxheti i shtetit tek arkat e vetë bashkive”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se ky është një vendim i planifikuar dhe i integruar në sistemin buxhetor.

“Është një mesazh i qartë, ku vlerësohet një shërbim gjithmonë e më jetik, lidhur me sigurinë e jetës dhe me mbrojtjen e pronës dhe zjarrfikësit janë ndër të parët që shkojnë aty, ku rreziku është krejt real dhe e përsëris në një kohë kur zjarret janë një fenomen, me sa duket, i pandalshëm dhe në zgjerim në rang global”, tha Rama.

Në këtë drejtim, ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të forcojë, jo vetëm kapacitetet teknike të këtij shërbimi, por do të vazhdojë t’i përkushtohet burimeve njerëzore dhe dinjitetit të të gjithë atyre që në uniformën e zjarrfikësit bëjnë heroizma.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›