GAZË – Hamasi: Të paktën 42 të vrarë në sulmin ajror izraelit

TEL AVIV, 22 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 42 persona janë vrarë në dy sulme ajrore izraelite ndaj ndërtesave të banimit në Gazë, sipas grupit militant palestinez Hamas, pasi një shtetas izraelit thuhet se u qëllua për vdekje në Bregun Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se objektivi i një sulmi pranë kampit të refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës ishte Raed Saad, një komandant i lartë i Brigadave al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit. Fillimisht ishte e paqartë nëse ai i mbijetoi sulmit.
Sipas raporteve palestineze, sulmi i dytë goditi lagjen Tuffah pranë qytetit të Gazës. Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë kishin sulmuar objektet ushtarake të Hamasit në zonë.
Më herët, Forcat Ajrore izraelite thanë se kishin sulmuar një numër objektivash në Rripin e Gazës, duke vrarë një numër të paidentifikuar njerëzish.
Nuk ka patur deklarata të tjera për një sulm që i atribuohet Izraelit në kampin e refugjatëve pranë qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës të premten, i cili sipas raporteve palestineze shkaktoi të paktën 24 të vdekur dhe 47 të plagosur.
Në përgjigje, ushtria izraelite deklaroi se hetimet fillestare treguan se sulmi në al-Mawasi nuk ishte kryer nga trupat izraelite. Ngjarja është ende duke u hetuar.
Dëshmitarët okularë kishin raportuar më parë se predha tankesh izraelite kishin goditur kampin e tendës në një sulm të befasishëm.
Sipas të dhënave të fundit nga autoriteti shëndetësor i drejtuar nga Hamasi në Gazë, të paktën 37 431 njerëz janë vrarë dhe 85 653 janë plagosur që nga fillimi i luftës.
Shifrat nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. //a.i/