GAZË – Hamasi i përgjigjet propozimit të SHBA-së për armëpushim, ndërsa kërkon ndryshime

GAZË, 31 maj /ATSH/- Hamasi i është përgjigjur propozimit të fundit të SHBA-së për armëpushim në Gazë – duke kërkuar gjithashtu edhe disa ndryshime në të, sipas AP.
“Kërkojmë ndryshime në disa pika, veçanërisht në garancitë e SHBA-së, kohën e lirimit të pengjeve, shpërndarjen e ndihmës dhe tërheqjen e forcave izraelite”, tha një zyrtar i lartë i grupit – duke folur në kushte anonimiteti.
Një deklaratë e veçantë e Hamasit tha se propozimi synon një armëpushim të përhershëm, një tërheqje gjithëpërfshirëse të Izraelit nga Gaza dhe akses të garantuar të ndihmës.
Thuhet se 10 pengje të gjalla dhe trupat e 18 të tjerëve do të lirohen në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë.Zyrtarët izraelitë kanë miratuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të përkohshëm në luftën gati 20-mujore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se negociatorët po i afrohen arritjes së një marrëveshjeje.
“Armëpushimi do të ndalonte luftimet për 60 ditë, do të lironte disa nga 58 pengjet që mbahen ende në Gazë – në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe ndihmës ushqimore shumë të nevojshme dhe ndihmave të tjera”, sipas zyrtarëve të Hamasit dhe Egjiptit që folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin me median. //a.i/