MYNIH – PSG-ja mbretëresha e re e futbollit evropian

MYNIH, 31 maj /ATSH-AFP/ – Skuadra franceze e Paris Saint Germain-it (PSG) fitoi sonte Champions League, pasi mundi me rezultatin e thellë 5-0 skuadrën italiane të Inter-it, në stadiumin ”Allianz Arena” të Mynihut.
Të mposhtur në finalen e vitit 2020, parizianët morën një epërsi të hershme këtë herë falë Achraf Hakimi, me një asist nga Désiré Doué, autor në moshën 19-vjeçare të një dopiete, përpara se Khvicha Kvaratskhelia dhe Senny Mayulu, gjithashtu 19 vjeç, ta përfundonin ndeshjen.
Në pjesën e parë të ndeshjes së gjykuar nga rumuni Istvan Kovacs, francezët arritën të shënonin dy herë me anë të Hakimi (’12) dhe më pas me anë të Doue (’20).
Kjo ishte hera e parë që një skuadër finaliste e Champion League pësonte dy gola brenda 20 minutave të para të një ndeshjeje.
Në pjesën e dytë, PSG shënoi edhe tri herë të tjera me Doue (’63), Kvaratskhelia (’73) dhe Mayulu (’87).
Me këtë rezultat, PSG theu të gjitha rekordet e një finaleje duke shënuar pesë herë.
PSG, e cila humbi finalen e vetme tjetër 1-0 ndaj Bayern Munich në vitin 2020, ka pësuar një ndryshim në lojë, nën drejtimin e Luis Enrique, me emra të mëdhenj si Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe të zëvendësuar nga lojtarë të fortë dhe talente.
Spanjolli Enrique e kishte fituar më parë titullin si trajner me Barcelonën në vitin 2015 – gjithashtu në Gjermani.
Ai i bashkohet një grupi elitar trajnerësh për të fituar çmimin për dy klube të ndryshme, duke përfshirë Carlo Ancelotti, Ottmar Hitzfeld, Jupp Heynckes, Ernst Happel, Pep Guardiola dhe Jose Mourinho./ a.jor.