E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GAZË – Mbrojtja civile: Të paktën 30 të vdekur, 59 të zhdukur pas sulmit ajror izraelit

GAZË, 17 nëntor /ATSH-AFP/- Mbrojtja Civile e Gazës raportoi sot të paktën 30 të vrarë – duke përfshirë fëmijë, dhe të paktën 59 të zhdukur – pas një sulmi ajror izraelit që goditi një ndërtesë në territorin verior palestinez.

Pas sulmit sot në mëngjes, 30 trupa u nxorrën nga rrënojat e ndërtesës pesëkatëshe të banimit në Beit Lahia, përfshirë fëmijë dhe gra, tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Bassal.

Ai shtoi se të paktën 59 njerëz ishin ende të bllokuar nën rrënoja.

Hamasi, i cili drejton territorin, akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre” për të cilën tha se është një vazhdim i luftës gjenocidale dhe një hakmarrje ndaj civilëve të paarmatosur.

Më herët, Mbrojtja Civile e Gazës tha se sulmet e tjera izraelite vranë të paktën 20 njerëz, duke përfshirë katër gra dhe tre fëmijë, në të gjithë territorin e shkatërruar nga lufta.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi njoftoi sot se numri i përgjithshëm i të vdekurve në më shumë se 13 muaj lufte kishte arritur në 43 846. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›