GAZË – Të paktën 15 të vdekur pas sulmit izraelit në kampin e refugjatëve

GAZË, 15 korrik /ATSH-DPA/- Hamasi tha dje se rreth 15 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror – në një shkollë në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në qendër të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite (IDF) tha më herët se kishte shënjestruar disa nga luftëtarët e grupit ekstremist palestinez në zonën e një shkolle që i përket Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA), e cila sipas tyre po përdorej nga Hamasi si strehë dhe bazë operacionesh.
“Ushtria izraelite ka ndërmarrë hapa të shumtë për të minimizuar rrezikun për civilët”, tha IDF.
Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Kjo vjen pas një sulmi të fundit ajror izraelit në një ndërtesë shkolle në Kampin e refugjatëve Nuseirat – ku ushtria tha se disa militantë ishin fshehur.
Sipas ushtrisë izraelite, municionet precize janë përdorur për të minimizuar viktimat civile.
“Përpara këtij incidenti, një sulm në një ish-shkollë të UNRWA-s, e cila kishte shërbyer si strehë për refugjatët që nga fillimi i luftës në Gazë, vrau 16 persona”, sipas Hamasit.
Ushtria izraelite përsëriti se Hamasi shkel sistematikisht ligjet ndërkombëtare duke përdorur objektet civile si shkollat dhe popullsinë si mburoja njerëzore. //a.i/