E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Lammy bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë

LONDËR, 15 korrik /ATSH-DPA/- Sekretari i ri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy u takua sot me familjet e pengjeve të kapur nga grupi militant palestinez Hamas, ndërsa bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë gjatë bisedimeve me udhëheqësit izraelitë.

“Në Bregun Perëndimor David Lammy takoi anëtarët e komunitetit palestinez. Vendbanimet në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe dëmtojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete”, tha Departamenti Britanik në platformën e mediave sociale X.

Në takimet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministrin palestinez Mohammad Mustafa të dielën, Lammy u shpreh për të punuar drejt një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit.

Ai njoftoi se Britania e Bashkuar do të siguronte 5,5 milionë paund të tjera (7,1 milionë dollarë) këtë vit për bamirësinë e ndihmës mjekësore UK-Med për të financuar punën e saj në Gazë.

Organizata dërgon mjekë humanitarë me përvojë, duke përfshirë ata që punojnë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe, në rajonet e goditura nga kriza.

Financimi do të përdoret për të mbështetur punën e vazhdueshme të spitaleve në terren të UK-Med dhe departamentit të urgjencës në Spitalin Nasser.

Lammy, i cili u emërua sekretar i jashtëm nga kryeministri i ri Keir Starmer pas fitores së madhe të Partisë Laburiste në zgjedhjet parlamentare në fillim të këtij muaji, tha: “Vdekja dhe shkatërrimi në Gazë janë të patolerueshme”.

“Kjo luftë duhet të përfundojë tani, me një armëpushim të menjëhershëm, të respektuar nga të dyja palët”, shtoi ai.

Vizita e Lammy vjen pas sulmit të fundit të Izraelit në Gaza, për të cilin autoriteti shëndetësor i drejtuar nga Hamasi tha se kishte shkaktuar vdekjen e të paktën 90 personave në jug të territorit.

Izraeli tha se sulmi kishte në shënjestër komandantin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, por nuk ka konfirmuar nëse ai ishte në mesin e të vdekurve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›