GJENEVË – Irani: Vetëm Teherani do të vendosë për përdorimin e aseteve të zhbllokuara

GJENEVË, 23 qershor /ATSH/- Irani do të jetë i vetmi, që do të vendosë se si do të përdoren asetet e tij të zhbllokuara, në kuadër të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi sot një diplomat iranian, duke hedhur poshtë pretendimet e Uashingtonit se, do të ketë kontroll mbi fondet ose se ato duhet të përdoren për blerjen e mallrave amerikane, raportoi “Reuters”.
SHBA-ja pezulloi sanksionet ndaj Iranit për 60 ditë, duke nisur nga e hëna, pas bisedimeve të zhvilluara në Zvicër për shndërrimin e marrëveshjes së përkohshme, në një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Sipas marrëveshjes fillestare, pritet të zhbllokohen rreth 12 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi dje se SHBA-ja dhe Katari, do të kenë kontroll mbi fondet sapo ato të zhbllokohen, dhe se paratë mund të përdoren për blerjen e misrit, sojës dhe grurit amerikan.
Megjithatë, ambasadori i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, tha se bisedimet mes dy vendeve kishin qenë “shumë të mira”, por kundërshtoi deklaratat e JD Vance mbi përdorimin e aseteve.
“Irani është i vetmi vend që vendos se çfarë do të bëjë me asetet e tij, që do të zhbllokohen. Prandaj refuzoj çdo pretendim se ndonjë shtet tjetër, mund të ketë ndikim mbi këto vendime ose procese”, u tha Bahreini gazetarëve në Gjenevë.
Ai bëri të ditur se në ditët e ardhshme do të krijohen dy grupe pune, të cilat do të diskutojnë heqjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe çështjet që lidhen me aktivitetet bërthamore iraniane.
Asetet e ngrira të Iranit përbëhen kryesisht, nga të ardhurat nga eksportet e naftës dhe rezervat e bankës qendrore, të bllokuara jashtë vendit gjatë viteve të sanksioneve ndërkombëtare.
Bahreini pranoi se do të nevojiten disa procedura teknike nga Uashingtoni dhe Doha, pasi asetet janë ngrirë nga SHBA-ja dhe një pjesë e tyre ndodhen në Katar.
“Sigurisht që, Irani nuk do të lejojë që ata të kenë ndikim në proceset e tjera, që lidhen me blerjen e mallrave apo importet. Kjo është një çështje për të cilën vendos vetëm Irani”, tha ai.
Libani, “vijë e kuqe” për Teheranin
Diplomati iranian deklaroi gjithashtu se lehtësimi i sanksioneve për shitjen e naftës dhe produkteve kimike iraniane, përbën një provë që mund të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë, ndërsa Teherani synon heqjen e plotë të sanksioneve.
Bahreini nënvizoi se ndalimi i luftimeve në Liban është një element i rëndësishëm, për suksesin e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit.
Në Liban, Izraeli vazhdon përplasjet me grupin Hezbollah, i mbështetur nga Teherani.
“Vija e kuqe e Iranit është çdo sulm i ri kundër Libanit”, tha ai, duke i bërë thirrje Uashingtonit të përdorë “të gjithë ndikimin e tij” ndaj Izraelit për t’i dhënë fund dhunës.
Megjithëse armëpushimi në jug të Libanit, ka qëndruar kryesisht në fuqi që prej së dielës, Mbrojtja Civile dhe mediet shtetërore libaneze raportuan se dy persona u vranë sot nga të shtënat izraelite. Hezbollahu e cilësoi incidentin si shkelje të armëpushimit.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur “terroristë të armatosur që përbënin një kërcënim të menjëhershëm” për trupat e saj në jug të Libanit, por nuk ishte e qartë nëse bëhej fjalë për të njëjtin incident. //a.i/