GJENEVË – OKB: Milicia vrau mbi 1000 civilë në Sudan brenda tre ditësh

GJENEVE, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila ka luftuar kundër trupave qeveritare në Sudan për dy vjet e gjysmë, vrau më shumë se 1 000 civilë gjatë një ofensive treditore në prill, sipas një raporti të OKB-së.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha në raport se kishte dokumentuar vrasjen e të paktën 1013 civilëve në kontekstin e ofensivës së RSF-së në kampin e personave të zhvendosur brenda vendit, “Zamzam” midis 11-13 prillit.
OHCHR tha se më shumë se 400,000 banorë të kampit u zhvendosën gjithashtu gjatë ofensivës treditore.
RSF sulmoi dhe shkatërroi kampin e refugjatëve “Zamzam” pranë El Fasher në prill.
Në atë kohë, disa qindra mijëra njerëz jetonin në atë që ishte kampi më i madh i refugjatëve në Darfurin e Veriut.
RSF nisi sulme ndaj objektivave ushtarake dhe civile në prill 2023 pasi i rezistoi integrimit në ushtri.
Lufta brutale për pushtet ka krijuar atë që OKB-ja e përshkruan si kriza më e madhe humanitare në botë.
Sipas shifrave të OKB-së, luftimet kanë zhvendosur rreth 12 milionë njerëz në vend, ndërsa çdo banor i dytë kërcënohet nga uria.
Në të njëjtën kohë, situata e rëndë në Sudan po merr shumë më pak vëmendje ndërkombëtare sesa, situata në Rripin e Gazës.
Raporti i OHCHR-së rendit vrasjet, përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale, torturat dhe rrëmbimet gjatë ofensivës treditore në kamp. //a.i/