GJERMANI – Baerbock vlerëson Harris si një grua energjike

ESEN, 30 korrik /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock vlerësoi zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris, duke e përshkruar atë si energjike dhe një “transatlanticiste të vërtetë” – gjatë një ngjarje publike dje në mbrëmje në Esen – përpara zgjedhjeve amerikane në nëntor.
Harris është një kandidate presidenciale në garën e vitit 2024 pasi ajo u miratua nga presidenti amerikan Joe Biden i cili është tërhequr nga gara presidenciale – për shkak të shqetësimeve se ai nuk mund të mposhtte rivalin republikan Donald Trump.
“Harris ka përjetuar urrejtje dhe agjitacion në të kaluarën”, tha Baerbock.
“Kjo grua ka një forcë te veçantë”, tha ministrja gjermane – duke shtuar se përshtypjen e saj për Harris e krijoi gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut – të organizuar në shkurt.
“Harris është një grua që i kryen gjërat dhe një “transatlanticiste” e cila do të vazhdojë të mbështesë jo vetëm Ukrainën, por edhe sigurinë transatlantike”, tha Baerbock duke theksuar se është gjithashtu në kontakt të ngushtë me republikanët amerikanë.
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, Gjermania dhe Evropa duhet të investojnë më shumë në sigurinë e tyre”, shtoi ajo.
Ngjarja publike, e organizuar nga “Fondacioni Mercator” në Esen, u zhvillua si pjesë e udhëtimit veror të Baerbock në rajone të ndryshme të Gjermanisë. //a.i/.