GJERMANI – Fermerët protestojnë me autokolona traktorësh kundër uljes së çmimeve të produkteve

SHTUTGART, 15 dhjetor /ATSH-DPA/ – Fermerët gjermanë zhvilluan sot protesta me autokolona traktorësh kundër çmimeve të ulëta të qumështit dhe gjalpit, të vendosura nga zinxhirët e supermarketeve, duke i akuzuar këta të fundit se po i ulin çmimet në nivele të paqëndrueshme.
Policia numëroi rreth 140 mjete bujqësore përpara selisë së zinxhirit të supermarketeve “Lidl “në qytetin Bad Wimpfen, në jugperëndim të vendit, ndërsa organizatorët thanë se deri në 250 traktorë morën pjesë në protestë.
Çmimet e gjalpit në Gjermani ndodhen aktualisht në nivelin më të ulët të viteve të fundit, pasi rrjetet e shitjes me pakicë i kanë ulur sërish çmimet.
Sipas analistëve, çmimet e gjalpit, qumështit dhe djathit po bien në mbarë botën.
Fabrikat e qumështit kanë marrë më shumë qumësht sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa është rritur edhe përmbajtja e yndyrës, duke kontribuar në një tepricë prodhimi që po tejkalon kërkesën për gjalpë.
Përfaqësuesit e fermerëve gjermanë paralajmërojnë se shumë ferma nuk janë më në gjendje të përballojnë investimet e nevojshme në kushtet aktuale të çmimeve.
Në një peticion online, fermerët e akuzuan “Lidl” për “dumping” të çmimeve të gjalpit.
Protesta me traktorë u zhvilluan gjithashtu përpara një qendre logjistike të ”Lidl”, në Radeburg, në lindje të Gjermanisë, si dhe pranë magazinës qendrore të kompanisë në qytetin Cloppenburg, në veriperëndim.
Nga ana e saj, “Lidl” deklaroi se i kupton shqetësimet e fermerëve, por i cilësoi uljet e çmimeve si një reagim të domosdoshëm ndaj kushteve të jashtëzakonshme në tregun e lëndëve të para./ /Ad.Ab./