E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Industria i kërkon Merzit reforma të shpejta për të shpëtuar konkurrueshmërinë

BERLIN, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Shoqatat e punëdhënësve dhe përfaqësues të kompanive të mëdha të industrisë në Gjermaninë jugore i kanë kërkuar kancelarit Friedrich Merz që të përshpejtojë zbatimin e reformave sociale dhe ekonomike, duke paralajmëruar se kostot e larta dhe konkurrenca ndërkombëtare po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi bizneset.

Në një letër drejtuar kancelarit, 17 përfaqësues të kompanive dhe organizatave të industrisë theksojnë se kostot e larta të energjisë, konkurrenca globale dhe ndryshimi i mjedisit ekonomik po kërcënojnë aftësinë konkurruese të kompanive gjermane.

Mes firmëtarëve janë përfaqësues të kompanive të mëdha si “Siemens”, “Audi”, “BMW”, “Porsche” dhe furnizuesi automobilistik “ZF”.

Letra është nënshkruar gjithashtu nga drejtuesit e shoqatave të punëdhënësve të industrisë së metaleve në Bavari dhe Baden-Vurtemberg.

Sipas tyre, struktura e politikave sociale dhe ekonomike është vendimtare për aftësinë e kompanive për të ruajtur konkurrueshmërinë, vendet e punës dhe investimet në Gjermani.

Një nga kërkesat kryesore është ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore në kostot e punës.

Ato aktualisht përbëjnë rreth 42% dhe kompanitë kërkojnë që kjo peshë të ulet në rreth 40%.

Përfaqësuesit e industrisë kërkojnë reforma strukturore në të gjitha degët e sigurimeve shoqërore, me synimin për të frenuar rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve dhe për të ulur kostot e punës në një nivel më konkurrues ndërkombëtarisht.

Një tjetër kërkesë lidhet me fleksibilitetin e orarit të punës.

Kompanitë argumentojnë se kufizimi maksimal prej 10 orësh punë në ditë është i vjetëruar dhe kërkojnë ndryshimin e rregullave për t’iu përshtatur më mirë nevojave të ekonomisë moderne.

Thirrja vjen në një periudhë të vështirë për industrinë gjermane, e cila po përballet me energji të shtrenjtë, konkurrencë të fortë ndërkombëtare dhe presion për të ruajtur prodhimin dhe vendet e punës.

Kompanitë paralajmërojnë se pa reforma të shpejta, Gjermania rrezikon të humbasë më tej avantazhin e saj konkurrues. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›