E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hapini dyert e Kuvendit”, PDK dhe Aleanca vazhdojnë protestën para Qeverisë së Kosovës

PRISHTINË, 21 gusht/ATSH/ Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës edhe paraditen e sotme u mblodhën në protestë para Qeverisë. Prej disa ditësh, me ta janë bashkuar edhe disa deputetë të Aleancës, derisa sot në mbështetje kishin edhe disa asambleistë të Lipjanit.

Me mbledhjen para Qeverisë, deputetët kërkojnë vijimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që u ndërpre pasi kryeministri Kurti kërkoi kohë për marrëveshje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka kritikuar deputetin Albin Kurti, duke e akuzuar se po shkel Kushtetutën dhe rendin juridik të vendit për interesa personale.

Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndryshojë qëndrimin, duke paralajmëruar rritje të zemërimit qytetar.

“Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, deklaroi Demaku.

Asambleistja nga Komuna e Lipjanit, Yllëza Bedrolli, ka deklaruar se e përkrah protestën kundër bllokimit të institucioneve, duke kërkuar që Kuvendi të hapë dyert dhe të vazhdojë procesi i formimit të institucioneve.

Ajo theksoi se institucionet duhet të funksionojnë në interes të Republikës dhe demokracisë.

“Ne jetojmë për Republikë, demokraci në mbështetje të tyre”, deklaroi Bedrolli. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›