E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: BE fuqizohet me reformimin e buxhetit

AACHEN, 14 maj /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz bëri thirrje për një modernizim themelor të buxhetit të Bashkimit Evropian, gjatë një fjalimi të mbajtur sot në ceremoninë e ndarjes së çmimit ”Charlemagne” për ish-kryeministrin italian, Mario Draghi në Aachen të Gjermanisë.

Merz tha se reforma është e nevojshme për ta kthyer BE-në në një fuqi të pavarur në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Sipas tij, planifikimi afatmesëm financiar i bllokut duhet të përqendrohet më shumë te fuqia ushtarake dhe ekonomike.

“Strukturë më e thjeshtuar, investime në konkurrueshmëri dhe mbrojtje, fokusim i burimeve evropiane për politika evropiane. Të gjitha këto janë të nevojshme, sepse burimet janë të kufizuara”, deklaroi ai.

Megjithatë, kancelari gjerman përjashtoi mundësinë e marrjes së borxheve të reja.

“Gjermania nuk mund ta ndjekë këtë rrugë për arsye kushtetuese”, u shpreh Merz.

Buxheti i BE-së përcaktohet për periudha shtatëvjeçare dhe aktualisht po zhvillohen negociatat për paketën financiare 2028-2034.

Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet prej 1,76 trilionë eurosh, i përshtatur me inflacionin, ku Gjermania mbetet kontribuuesja më e madhe.

Merz theksoi se më shumë se dy të tretat e fondeve aktualisht shkojnë për “rishpërndarje dhe subvencione”, ndërsa sipas tij prioritet duhet të jetë forcimi i sovranitetit evropian në një botë ku SHBA-ja, Kina dhe Rusia luajnë rol vendimtar në politikën globale.

“Duhet të përcaktojmë interesat tona me vetëbesim dhe të jemi të gatshëm të investojmë për t’i mbrojtur ato”, tha ai.

Sipas Merz, Evropa tashmë e ka kuptuar se mund të mbijetojë në arenën ndërkombëtare vetëm përmes forcës ekonomike dhe politikave të sigurisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›