E Diel, 1 Nëntor 2026

BUDAPEST – Hungaria thërret ambasadorin rus pas sulmit masiv me dronë në Ukrainë

BUDAPEST, 14 maj /ATSH/- Hungaria thirri sot ambasadorin e Rusisë në Budapest, pas një sulmi masiv me dronë ndaj Ukrainës, duke sinjalizuar një kthesë të fortë në marrëdhëniet me Moskën pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të ri Péter Magyar.

Ambasadori rus, Evgeny Stanislavov, u thirr në Ministrinë e Jashtme hungareze për t’u takuar me ministren e Jashtme Anita Orbán, pas sulmeve që goditën rajonin ukrainas të Transcarpathia, ku jeton një pakicë e konsiderueshme hungareze.

“E bëra të qartë se është krejtësisht e papranueshme që Rusia po sulmon tani Transkarpatinë, vendbanimin e pakicës hungareze”, deklaroi Anita Orbán në rrjetet sociale, duke i kërkuar Moskës armëpushim të menjëhershëm dhe fund të qëndrueshëm të luftës.

Rusia lëshoi dje të paktën 800 dronë në një nga sulmet më të mëdha ajrore të luftës, duke goditur rreth 20 rajone të Ukrainës.

Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë.

Sulmet vazhduan edhe sot, ku sipas kryebashkiakut të Kyiv, Vitali Klitschko, shtatë persona u vranë vetëm në kryeqytet, mes tyre një vajzë 12-vjeçare.

Pas takimit, ambasada ruse në Budapest deklaroi se sulmi kishte në shënjestër vetëm objekte dhe infrastrukturë të përdorur nga ushtria ukrainase, jo objektiva civile.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi thirrjen e ambasadorit rus në Budapest si “një mesazh të rëndësishëm” dhe falënderoi Péter Magyar për qëndrimin e tij.

“Moska ka treguar sërish se përbën kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet fqinje dhe gjithë Evropën”, tha Zelensky.

Veprimi i qeverisë hungareze shënon një ndryshim të fortë pas disa vitesh marrëdhëniesh të ngushta midis Budapestit dhe Moskës, nën qeverisjen e ish-kryeministrit Viktor Orbán, pavarësisht pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Pas fitores historike në zgjedhjet e prillit, Péter Magyar është zotuar të çmontojë një pjesë të trashëgimisë së ndërtuar nga Orbán gjatë 16 viteve në pushtet, me fokus të veçantë në hetimin e korrupsionit të dyshuar.

Magyar njoftoi sot gjithashtu fundin e dy mekanizmave të qeverisjes emergjente, të vendosur gjatë pandemisë së COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.

Ai deklaroi se Hungaria po i rikthehet normalitetit, duke i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme të kohës së luftës dhe qeverisjes me dekrete që ishte vendosur nga qeveria e Orbán. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›