GJERMANI – Merz: Nuk besoj se takimi i dytë Trump-Zelensky do të jetë si i pari

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz është shprehur optimist se takimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin amerikan Donald Trump nesër në Shtëpinë e Bardhë nuk do të jetë si i pari.
Në fund të shkurtit ndodhi një skenë e jashtëzakonshme dhe e paprecedentë, kur Trump e ndërpreu disa herë Zelenskyn dhe zëvendëspresidenti JD Vance vuri në dyshim nëse ai i kishte falënderuar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe takimi u anulua papritur, me Zelenskyn që u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Merz tha për “RTL/ntv” se nuk besonte që Trump do ta poshtëronte sërish Zelenskyn dhe shtoi se liderët evropianë do t’i jepnin presidentit ukrainas disa këshilla të mira gjatë takimit online sot me të.
Ai theksoi se takimi i tij me Trump kishte shkuar ndryshe dhe se këtë e kishin diskutuar me Zelenskyn.
Merz dha gjithashtu një vlerësim pozitiv për takimin në Alaskë mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
“Takimi mund të jetë një sukses në rrugën drejt paqes në Ukrainë, nëse ndërmerren hapat e duhur”, tha ai, duke iu referuar edhe takimit të planifikuar nesër mes Trump dhe Zelensky, i cili pritet të pasohet nga një takim trepalësh me Putinin, ndonëse koha dhe vendi ende nuk janë caktuar. Nga pala ruse është thënë se një takim i tillë nuk është diskutuar në Alaska.
“Kjo është një rrugë e mirë, por do të jetë ende e vështirë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë”, tha Merz.
Që prej fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, qeveria gjermane është thirrur vazhdimisht të bëjë çdo përpjekje për një zgjidhje diplomatike.
Merz theksoi se ka qenë gjithmonë dakord me këtë, por se një zgjidhje e tillë duhet të arrihet duke respektuar shtetësinë dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Dhe tani jemi një hap të vogël më pranë kësaj”, shtoi ai./ /Ad.Ab./