NJU JORK – Tre të vdekur dhe tetë të plagosur në një klub nate në Brooklyn

NJU JORK, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën tre persona kanë vdekur nga një përplasje me armë zjarri sot në mëngjes, në një klub nate në Brooklyn, njoftoi policia.
Oficerët që iu përgjigjën thirrjes së urgjencës gjetën 11 persona me plagë të shkaktuar nga armë zjarri brenda lokalit “Taste of the City Lounge”, tha komisionerja e NYPD, Jessica Tisch.
”Tre prej viktimave më pas ndërruan jetë si pasojë e plagëve. Hetuesit gjetën 36 gëzhoja në vendngjarje, çka tregon se janë përdorur disa armë dhe me shumë gjasa janë përfshirë shumë persona të armatosur”, shtoi Tisch.
Deri tani nuk janë bërë arrestime.
Ajo e përshkroi ngjarjen si “të tmerrshme”, duke theksuar se dhuna e tillë nuk është normale as për një qytet të madh si Nju Jorku.
Autoritetet po shohin pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në rrugët përreth për të identifikuar autorët.
Mes të plagosurve kishte tetë burra dhe tre gra.
“Taste of the City Lounge”, që funksionon si bar dhe restorant deri në orët e para të mëngjesit, ndodhet në lagjen “Crown Heights” në Brooklyn. /Ad.Ab./