E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz përjashton mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në

RUST (Gjermani), 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka përsëritur sot se partia e tij nuk do të bashkëpunojë me partinë e ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD).

“Jo sepse ka një mur mbrojtës midis nesh, harrojeni këtë fjalë, por se ne jemi botë krejtësisht të ndryshme nga kjo parti”, tha Merz në një takim të lëvizjes rinore të bllokut të tij konservator në qytetin jugperëndimor gjerman, Rust.

“Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ta”, theksoi ai.

Merz ka thënë vazhdimisht se blloku i tij nuk do të bashkëpunonte kurrë me AfD-në, një koncept i quajtur ”mur mbrojtës”.

Ai theksoi se nuk ka ndërmend të rrezikojë trashëgiminë e kësaj partie, të cilën e lidh me emrat e Helmut Kohlit dhe Konrad Adenauerit.

Merz theksoi gjithashtu se nën udhëheqjen e tij, Gjermania duhet të mbetet një vend i hapur për emigrantët.

Ai tha se ”ndërsa migrimi i parregullt duhet të luftohet vazhdimisht, emigrantët që duan të punojnë në Gjermani do të vazhdojnë të mirëpriten në të ardhmen”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›