GJERMANI – Mijëra protestues në mbarë vendin kundër AfD-së pas fitores në zgjedhje

BERLIN, 8 shtator /ATSH-DPA/- Mijëra persona dolën në protesta në disa qytete të Gjermanisë kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), pas fitores së thellë të saj në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt.
Në Berlin, policia njoftoi se rreth 5 mijë protestues u mblodhën pranë Portës së Brandenburgut, ndërsa organizatorët e vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 14 mijë persona.
Protesta u organizua nga organizata “Campact” dhe lëvizja klimatike “Fridays for Future”.
Demonstruesit mbanin pankarta me slogane si “Fashizmi nuk është alternativë” dhe “Ndal AfD-në naziste”, ndërsa turma brohoriste: “Të gjithë së bashku kundër fashizmit!”
AfD fitoi bindshëm zgjedhjet e së dielës në Saksoni-Anhalt, por nuk arriti shumicën absolute, duke lënë të hapur mundësinë për krijimin e qeverisë së parë rajonale në Gjermani të drejtuar nga AfD.
Dega e AfD-së në këtë land është klasifikuar nga shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme, si një organizatë “e konfirmuar ekstremiste e krahut të djathtë”.
Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera, përfshirë Schwerin, Rostock, Essen, Potsdam, Kassel dhe Frankfurt.
Në Frankfurt, rreth 2 500 persona protestuan një ditë më parë, duke kërkuar që të shqyrtohet mundësia e ndalimit të AfD-së. //a.i/