Adoptime në koncertin e Jovanottit: Një ekran gjigant për kafshët endacake

AGNANO, 8 shtator, ATSH/ Muzika dhe sensibilizimi për kafshët endacake u bashkuan në koncertin e Jovanottit në Agnano, ku një pjesë e aktivitetit iu kushtua nismës për adoptimin e përgjegjshëm.
Në çdo etapë të Jova Summer Party, organizatorët përzgjedhin këlyshë nga shoqata lokale që merren me mbrojtjen e kafshëve. Për ndalesën në Agnano u zgjodh “Dog Village” i Montesilvano-s.
Në pritje të ngjitjes së artistit në skenë, në ekranin gjigant të koncertit u shfaq një video e realizuar nga Empethy, platforma italiane e dedikuar adoptimit të qenve dhe maceve. Pamjet përcollën një mesazh të thjeshtë: kafshët e braktisura kanë nevojë për një familje.
“E realizuam këtë video për të sensibilizuar publikun për adoptimet e përgjegjshme gjatë periudhës së verës. Është një sezon i vështirë për problemin e kafshëve endacake, pasi numri i braktisjeve tenton të rritet”, tha Annamaria Barbaro, bashkëthemeluese e Empethy.
Nisma synon të shfrytëzojë edhe fuqinë e eventeve të mëdha për të tërhequr vëmendjen ndaj një problemi që gjatë muajve të verës bëhet edhe më i ndjeshëm. Në Agnano, mes spektaklit të koncertit, ekrani gjigant u kthye kështu në një dritare për kafshët që presin të gjejnë një shtëpi.
Jova Summer Party është turi veror i Jovanottit në Itali, një spektakël muzikor itinerant që ndërthur koncertet me iniciativa sociale.