E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Pistorius: Prania e trupave amerikane mbetet në interes të përbashkët

BERLIN, 2 maj /ATSH–DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania ndajnë interesa të përbashkëta ushtarake, pas njoftimit për tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga bazat në Gjermani.

“Prania e trupave amerikane në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interes të SHBA-së,” tha Pistorius.

Megjithatë, ai e bëri të qartë se vendimi nuk ishte i papritur dhe kishte qenë “i parashikueshëm”.

“Ne punojmë ngushtë me amerikanët, në “Ramstein Air Base”, në “Grafenwoehr Training Area”, në Frankfurt dhe gjetkë  për paqen dhe sigurinë në Evropë, për Ukrainën dhe për parandalimin e përbashkët”,  tha ai. SHBA-ja mban në Ramstein bazën kryesore ajrore për Evropën dhe Afrikën.

“SHBA përdor bazat në Gjermani për interesa sigurie edhe në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”, theksoi gjithashtu Pistorius.

Ai nënvizoi se është e qartë që NATO duhet të bëhet më evropiane për të mbetur një aleancë transatlantike. “Ne europianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”,  tha Pistorius

Sipas tij, Gjermania tashmë është në këtë rrugë, duke zgjeruar forcat e armatosura, duke përshpejtuar blerjen e pajisjeve ushtarake dhe duke ndërtuar infrastrukturë.

Ministri gjerman shtoi se do të koordinojë detyrat e ardhshme ushtarake me të ashtuquajturin “Grupi i të Pestëve”, që përfshin Francën, Italinë, Poloninë, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›