GJERMANI – Qindra protestues kundër AfD-së dhe përdorimit të kulturës për qëllime politike

DUSELDORF, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Qindra persona protestuan sot në qytetin gjerman të Duseldorfit kundër një aktiviteti kulturor të organizuar nga partia e djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke e akuzuar atë për përdorimin e trashëgimisë kulturore të qytetit për qëllime politike.
Sipas policisë, në protestë morën pjesë rreth 700 deri në 800 persona, ndërsa aktiviteti i AfD-së, ku ishte i pranishëm deputeti Matthias Helferich, mblodhi rreth 40 pjesëmarrës.
Kundërshtimet u përqendruan te përpjekjet e partisë për të lidhur mesazhin e saj politik me institucionet kulturore dhe figura të njohura të qytetit, përfshirë poetin Heinrich Heine, i cili lindi në Dusseldorf dhe ishte kritik i nacionalizmit.
Përfaqësues të institucioneve kulturore dhe artistë argumentuan se arti dhe kultura nuk duhet të përdoren për qëllime partiake.
Në përgjigje të aktivitetit të AfD-së, ata organizuan një aktivitet kulturor me muzikë, letërsi dhe teatër, nën moton “Kultura e Duseldorfit për demokracinë”.
Aktiviteti i partisë përfshinte një vizitë në disa vende kulturore të qytetit dhe do të përfundonte në qendrën kulturore Palais Wittgenstein, ku Helferich pritej të mbante një fjalim me temë “Politika kulturore nga e djathta”.
Helferich është një figurë e diskutueshme edhe brenda AfD-së.
Në mesazhe private të publikuara më herët, ai e kishte cilësuar veten si “fytyra miqësore e nacional-socializmit”.
Përpjekjet për përjashtimin e tij nga partia dështuan këtë vit.
Protestuesit thanë se synimi i tyre ishte mbrojtja e lirisë së artit, pluralizmit dhe vlerave demokratike. //a.i/