GJERMANI – Rutte vlerëson marrëveshjen gjermane për shërbimin e ri ushtarak

KËLN, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte vlerësoi sot marrëveshjen për shërbimin ushtarak në Gjermani, ndërsa vizitoi një bazë të NATO-s në Geilenkirchen, pranë kufirit me Holandën.
“Çdo vend vendos vetë se si të përfshijë mjaftueshëm burra dhe gra në ushtri”, tha Rutte.
“Por, jam shumë i lumtur të dëgjoj se koalicioni këtu në Gjermani tani ka rënë dakord për të çuar përpara marrëveshjen, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rutte.
Deklarata e tij erdhi pasi koalicioni i kancelarit, Friedrich Merz njoftoi një kompromis mbi krijimin e një shërbimi ushtarak vullnetar për të forcuar forcat e armatosura të vendit, Bundeswehr-in, me dispozita për rekrutim ushtarak nëse nuk regjistrohen mjaftueshëm të rinj.
Rutte e përshkroi avionin “Airborne Warning and Control System”, të njohur si AWACS, të stacionuar në Geilenkirchen si mbikëqyrësi i NATO-s.
Avionët “Boeing 707” të konvertuar monitorojnë hapësirën ajrore të aleancës me qëllim zbulimin e hershëm të kërcënimeve të mundshme.
AWAC-et janë të spikatura për shkak të pajisjeve të tyre të mëdha radarësh, të ngjashme me kërpudhat, në pjesën e pasme të avionit.
Kjo i lejon ata të lokalizojnë dhe identifikojnë avionë të tjerë në një distancë prej më shumë se 400 kilometrash. //a.i/