BRUKSEL – BE: Skandali i korrupsionit në Ukrainë, pengesë për procesin e anëtarësimit

BRUKSEL, 13 nëntor /ATSH/- Është bërë një progres i kufizuar në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë, thuhet në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi vendet kandidate, i prezantuar javën e kaluar, sipas “La Repubblica”.
Hetimi në Kiev, që çoi në dorëheqjen e dy ministrave duket se mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Për më tepër, dje, gjatë takimit të Eurogrupit, ku u diskutuan sërish mjetet për të financuar rezistencën ukrainase gjatë dy viteve të ardhshme, “skandali” që ka shpërthyer në vendin e shkatërruar nga lufta u përmend vazhdimisht nga disa ministra të Financave.
Vështirësitë ligjore të përdorimit të aseteve të ngrira ruse tani përkeqësohen nga dyshimet se si mund të përdoren këto para.
Dyqind miliardë euro mund të garantojnë sigurinë e Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme dhe t’i kursejnë BE-së shpenzime të konsiderueshme.
Megjithatë, kjo perspektivë ende përballet me pasiguri, të theksuara në raportin e fundit të zgjerimit.
“Ekziston një tendencë drejt stagnimit dhe Parlamenti miratoi një ligj në korrik që shpërbën garanci të rëndësishme për pavarësinë e autoriteteve antikorrupsion”, thuhet në raport.
Për fat të mirë, pavarësia e këtyre organeve u rivendos shpejt pas protestave të brendshme dhe shqetësimeve të forta të shprehura nga partnerët ndërkombëtarë.
“Të njëjtat institucione dhe organizata të shoqërisë civile, raportojnë presion në rritje nga agjencitë shtetërore”, thuhet në raportin e BE-së.
“Këto zhvillime vënë në pikëpyetje angazhimin e Ukrainës ndaj axhendës së saj kundër korrupsionit. Ukraina duhet të avancojë kuadrin e saj kundër korrupsionit dhe të parandalojë çdo kthim pas”, sipas raportit.
“Prandaj, nxitja e ekzekutivit të BE-së synon, konkretisht, të ruajë pavarësinë e institucioneve kundër korrupsionit; të zgjerojë juridiksionin e tyre; të vendosë masa mbrojtëse të forta kundër ndërhyrjes nga anëtarët e Parlamentit; të konsolidojë arritjet përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, me vëmendje të veçantë ndaj zyrtarëve të lartë”; të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale; dhe të rrisë numrin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ në Gjykatën e Lartë Kundër Korrupsionit”, thuhet në raport.
“E gjithë kjo, sepse lufta kundër korrupsionit është një element qendror i pranimit të një vendi në BE. Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një kapacitet të fortë për të luftuar korrupsionin dhe respekt për shtetin e së drejtës. Agjencia ukrainase “Duar të Pastra” po hyn me të dyja këmbët në diskutimin e vazhdueshëm në Bruksel mbi të ardhmen e Kievit”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian. //a.i/