GJIROKASTER/ Kapen 71 kg drogë, 4 në kërkim
GJIROKASTER – Uniformat blu të Gjirokastrës bllokuan 71 kg marijuanë, ndërsa shpallën në kërkim 4 persona të përfshirë në trafikimin e saj nga Lazarati për në Fier. Kapja e drogës u bë në rreth 100 metra mbi rrugën nacionale Luzat-Tepelenë. Policia pikasi katër persona që po transportonin dy çanta të mëdha shpine të mbushura me marijuanë. Njëri prej trafikantëve ishte i pajisur me armë zjarri. Në momentin kur policët janë afruar në zonën ku gjendej marijuana, u kanë bërë thirrje personave të ndalonin rrugëtimin për në pjesën jugore të vendit, por reagimi i të rinjve ka qenë i menjëhershëm duke hedhur çantat me marijuanë në mes të shkurreve. Dhe më pas, për ti shpëtuar kapjes, janë larguar me shpejtësi në pyllin e Ujit të Ftohtë. Në ndjekje të tyre janë vënë të gjitha forcat policore të Antidrogës.