GJK refuzon VV-në edhe për buxhetin dhe amnistinë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përpos marrëveshjes me Serbinë ka vendosur edhe për kërkesën e Vetëvendosjes për Ligjin për buxhetin dhe atij të amnistrisë.
Ligji për Amnistinë
Më 3 shtator 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi për rastin KO108/13 përkitazi me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Amnistinë, Nr. 04/L-209, sa i përket përmbajtjes dhe procedurës së ndjekur për miratimin e tij.
Kërkesa është parashtruar në Gjykatë, më 19 korrik 2013, nga znj. Albulena Haxhiu dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi si vijon:
1. Njëzëri, të shpallë kërkesën të pranueshme;
2. Njëzëri, të shpallë se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit për Amnistinë, Nr. 04/L-209, është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
3. Me shumicë votash, të shpallë se Ligji për Amnistinë, Nr. 04/L-209, për sa i përket përmbajtjes, është në pajtim me Kushtetutën, me përjashtim të këtyre neneve: 1.1.10 (Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë), 1.1.11 (Zjarrvënia), 1.1.13 (Neni 386 (1) 1.1, 1.2, 1.3, 1.5, Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të veprave), 1.1.14 (Neni 388 (2) 2.1, 2.2, 2.3, 2.5, Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale), 1.1.15.10 (Falsifikimi i dokumenteve), 1.1.15.11 (Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve), 1.2.9.7 (Falsifikimi i dokumenteve zyrtare), 1.3.5.6 (Falsifikimi i dokumentit) dhe 1.3.5.7 (Falsifikimi i dokumentit zyrtar),
Përkitazi me veprat vijuese penale:
- nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, nr. 19/13 2012), nenet: 333(1), 334(1), 386, 388, 398 dhe 399;
- nga Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2003/25, e 6 korrikut 2003; Gazeta Zyrtare nr. 2003/25 dhe Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2004/19 për ndryshimin e Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës), neni 348;
- nga Ligji Penal i KSAK (Gazeta Zyrtare nr. 20/77 dhe Rregulloret e UNMIK-ut Nr. 1999/24 dhe NR. 2000/59 përkitazi me ligjin e aplikueshëm në Kosovë), nenet: 203 dhe 216.
Vendimi i Gjykatës do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur.
Ligji i Buxhetit
Më 2 shtator 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi në Rastin KO118/13 përkitazi me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 04/L-201 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.
Kërkesa është dorëzuar në Gjykatë, më 1 gusht 2013, nga znj. Albana Fetoshi dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shpallë kërkesën të papranueshme.
Vendimi i Gjykatës do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur./Indeksonline/