E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria sfidon SHBA-në: Nuk lejojmë ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit

Irani i shpreh zyrtarisht qeverisë shqiptare zemërimin për strehimin e muxhahidinëve.

Qeveria shqiptare deklaron për herë të parë publikisht se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje ushtarake në drejtim të Iranit. Kjo është deklarata e parë që i kundërvihet qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat deri sot janë mbështetur fuqishëm në çdo aksion apo plan të tyre në drejtim të ndërhyrjeve ushtarake. Dihet se prej kohësh, Uashingtoni zyrtar i është vërtitur dëshirës për të kryer ndërhyrje ushtarake në Iran, por deri tani pa i vënë në jetë.

Deklarata mbështetëse ndaj Teheranit zyrtar u bë të martën nga kryeministri shqiptar Sali Berisha i cili priti në një takim ambasadorin e ri të Iranit, A. Majid Mozafari.
“Ju siguroj se nga territori i Shqipërisë nuk do të mundet të ndërmerret qoftë edhe një veprim në drejtim të Iranit, nga askush”, - tha Kryeministri Berisha.
Në këtë takim, z. Mozafari shprehu zemërimin e Teheranit zyrtar për faktin që qeveria shqiptare, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara pranuan një grup muxhahidinësh (të cilët nga Irani konsiderohen si terroristë, transmeton noa.al.

“Irani nuk do të kishte dashur që Shqipëria të ishte vendi i parë i strehimit të individëve të grupit MEK(Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodheshin në kampin “Liria” në Irak”, - deklaroi Ambasadori i Iranit A. Majid Mozafari.

Kryeministri Berisha i është justifikuar ambasadorit iranian duke thënë se ky vendim ka të bëjë me një qëndrim tërësisht humanitar të qeverisë shqiptare.

Z.Berisha tha se cilido prej të strehuarve, që do të ketë garancinë e plotë të autoriteteve iraniane dhe dëshiron të kthehet në vendin e tij, nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet shqiptare.

Ne jemi të përkushtuar , - tha kryeministri Berisha, - t’u krijojmë atyre të gjitha kushtet për një jetë të lirë dhe të mirë në këtë vend, ndërsa ritheksoi se ky akt nuk ka të bëjë më asgjë tjetër veç qëllimit humanitar.

Kryeministri Berisha gjatë takimit bëri dhe një “urim” për Teheranin zyrtar: “Uroj që Irani në interesin më të mirë të tij të zgjidh me transparencë dhe bashkëpunim të besueshëm, siç edhe vendet e tjera e kanë zgjidhur, kundërshtitë për problemin e armëve bërthamore dhe të eci në rrugën e kooperimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›