E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO: Vlora Hyseni dhe 2 të arrestuarit e tjerë do të merren në pyetje të enjten nga hetuesit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me ecurinë e procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, ku nën hetim ndodhen ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe shtetasit Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani. Sipas njoftimit, Vlora Hyseni dhe 2 të arrestuarit e tjerë do të merren në pyetje të enjten (24 shtator) nga hetuesit.

Gjykata bëri me dije se ndaj ish-drejtueses së SHISH-it është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa për dy personat e tjerë nën hetim është caktuar masa “arrest në burg”.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë gjykatës kërkesat për marrjen në pyetje të personave nën hetim: Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ dhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’.”, thuhet në njoftim.

Akuzat dhe kalendari i seancave gjyqësore

Në njoftim sqarohet se procedimi penal ka ngjallur interes të lartë publik dhe mediatik, ndërsa janë specifikuar edhe veprat penale për të cilat dyshohen personat e përfshirë:

Vlora Hyseni: e dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

Fatjon Kalluçi: i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

Embro Sulejmani: i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani është caktuar të zhvillohet më datë 24.09.2026, në orën 09:00. Ndërkohë, seanca për ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, do të zhvillohet po më 24 shtator, në orën 12:00.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›