E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO cakton datën e seancës për dosjen Meta-Kryemadhi, më 25 shtator vendoset a do të kalojë për gjykim

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë në dosjen e SPAK-ut.

Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka e zgjedhur përmes shortit elektronik. Ajo do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do t’i kthehet sërish SPAK-ut për hetime shtesë ose do të pushohet.

Në këtë dosje, SPAK-u ka marrë të pandehur edhe Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Hetimi i SPAK-ut përfshiu tri çështje: aferën CEZ-DIA, lobimet e LSI-së në SHBA dhe verifikimin pasuror të familjes Meta-Kryemadhi.

Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi është me detyrim paraqitje.

Mbrojtja e Metës ka deklaruar më parë se do të kërkojë dorëheqjen e gjyqtares Gjoka nga çështja, dhe nëse ajo nuk pranon, do të kërkojë përjashtimin e saj, duke argumentuar se Gjoka nuk mund të gjykojë këtë dosje për shkak të problemeve ligjore që sipas tyre ka.

Të njëjtin argument për gjyqtaren Gjoka ka përdorur edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi kjo e fundit ka qenë gjyqtare e hetimit paraprak për dosjen “Partizani”.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›