E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO dënon me 11 vjet e 4 muaj burg Islam Sefën (alias Xaka) për trafik droge

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dënoi të enjten me 17 vite burg Islam Sefën (alias Xaka), i akuzuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij përfundimtar u ul në 11 vite e 4 muaj burgim.

Vendimi u mor pas një hetimi të thelluar të kryer në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Sefa u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, pasi akuzohej se drejtonte dhe financonte një rrjet të trafikimit të drogës me një vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), grupi kriminal ka dërguar sasi të konsiderueshme marijuanë në Gjermani gjatë viteve 2020-2021. Droga, e siguruar kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, trafikohej dhe tregtohej në qytete gjermane si Wolfsburg dhe Magdeburg, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Hetimet provuan se grupi ishte përfshirë në 9 episode të ndryshme, duke trafikuar një total prej 912 kg marijuanë. Dënimi për Islam Sefën do të fillojë nga data e arrestimit dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Për këtë çështje, SPAK dërgoi për gjykim katër persona të tjerë në dhjetor 2024, si pjesë e këtij grupi kriminal shqiptaro-gjerman.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›