E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO dënon me burg oficerin e policisë gjyqësore për korrupsion ndaj gjyqtarëve

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot fajtor Shuaip Camin, ish-oficer i Policisë Gjyqësore, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Flora Hajredinaj dhe Erjon Bani dënoi Camin me 2 vite burg si dhe i hoqi të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Gjithashtu GJKKO shpalli fajtor Flamur Kurtin për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.

Kurti  u dënua me tetë muaj burgim, por dënimi me burg iu pezullua në shërbim prove për një periudhë kohe prej 16 muajsh.

Ndërkohë Fluturim Bajrami u shpall i pafajshme për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit për të pandehurit, kthimin e disa provave materiale pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe ngarkimin e shpenzimeve të hetimit dhe atyre gjyqësore ndaj Shuip Camit dhe Flamur Kurtit.

Sipas SPAK, Shuip Cami dyshohet se ka marrë një shumë prej 3000 euro nga i pandehuri Flamur Kurti, në këmbim të favorizimit të të dyshuarit Adrian Shahi në një procedimin penal në vitin 2020.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›