Jole: Po punohet me intensitet për normalizimin e situatës pas reshjeve

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në qarkun e Korçës po punohet me intensitet për normalizimin e situatës së krijuar pas reshjeve të ditëve të fundit.
Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, bëri të ditur se përfundoi pastrimi i masivit shkëmbor në pikën më kritike të bllokimit në aksin Lozhan-Mesmal të bashkisë Maliq. Jole tha se, aktualisht po vijojnë punimet për heqjen e inerteve të sjella në shtratin e rrugës nga ujërat e përroit, në një pikë tjetër të këtij segmenti. Puna do të vazhdojë edhe për hapjen e degëzimit drejt fshatrave Velçan, Selcë dhe Niçë.
Prej ditës së djeshme, në terren janë angazhuar mjetet dhe punonjësit e bashkisë Maliq, të cilët po punojnë me intensitet për normalizimin e situatës së krijuar nga rrëshqitjet dhe bllokimet masive.
Ndërkohë janë njoftuar drejtuesit e automjeteve se segmenti hyrës i Unazës së Pogradecit, në drejtimin nga Tirana drejt qytetit, është rihapur për qarkullim.
Pas stabilizimit të skarpatës së dëmtuar, lëvizja e mjeteve mund të kryhet normalisht, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe sinjalistikën e vendosur. Në koordinim me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, nesër grupi i punës do të ndërhyjë në terren, ku inxhinierët gjeologë do kryejnë inspektimin dhe vlerësimin teknik të qëndrueshmërisë së shpatit.
Institucioni i Prefektit bëri të ditur se, nga bashkitë nuk raportohen problematika të reja, ndërsa vijon puna për normalizimin e plotë të situatës.
Nga ARRSH, Drejtoria Qendër-Lindje, nuk ka problematika të raportuara në akset rrugore nën administrim. Ndërkohë, nga OSHEE informohet se: Fideri 6, nënstacioni Mollas, është pa energji elektrike në zonat Ballabanov, Panarit, Treskë dhe Grabockë, duke prekur rreth 50 abonentë ruralë.
1 nga 2/j.p/r.e/