E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO dërgon për gjykim ish‑kreun e Prokurorisë së Sarandës, avokatin dhe dy biznesmenët për korrupsion

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, avokatit Çlirim Shahini dhe dy biznesmenëve, Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi.

Vendimi u mor pas seancës paraprake të zhvilluar më 6 maj 2026, ku gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe vendosi kalimin e dosjes për gjykim me një trup gjykues të ri.

Sipas vendimit, të katërt akuzohen për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

SPAK njofton se, ish-prokurori Kledian Llaho dyshohet se ka shfrytëzuar detyrën për të favorizuar persona nën hetim në këmbim të përfitimeve financiare.

Hetimet kanë zbuluar se një qytetar me inicialet M.A., i cili po hetohej nga Prokuroria e Sarandës për “shpërdorim detyre”, kishte detyrime financiare ndaj vjehrrit të prokurorit Llaho për një investim në një hotel.

SPAK thotë se Llaho i ka kërkuar të hetuarit që shumën prej 1.8 milionë lekësh t’ia kthente vjehrrit të tij përmes biznesmenit Vasil Bakalli, me premtimin për lehtësim të pozitës procedurale në hetim.

Në dosje përmendet edhe biznesmeni Pando Papuçi, i cili sipas SPAK ka dhënë 30 mijë euro ryshfet për Kledian Llahon dhe Vasil Bakallin, me qëllim ndikimin tek prokurorja e çështjes së tij.

Po ashtu, SPAK pretendon se Papuçi i ka dhënë edhe 25 mijë euro avokatit Çlirim Shahini, pasi ky i fundit i kishte premtuar ndikim tek gjyqtarja e çështjes.

SPAK deklaron se akuzat janë dokumentuar përmes veprimeve hetimore dhe metodave speciale të hetimit.

Në seancën paraprake, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri vendosi kalimin e çështjes për gjykim nga një trupë me tre gjyqtarë.

Ndërkohë, Pando Papuçi ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›