GJKKO lë në fuqi vendimin për Camin

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin Shuip Cami,
Në vendimin e marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), thuhet se është deklaruar fajtor i pandehuri Fluturim Bajrami për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas Kodit Penal, i pandehuri Fluturim Bajrami i dënuar me 1 (një) vit e 3 (tre) muaj burgim, dënohet përfundimisht me 10 (dhjetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Nga analiza e akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera për procedimin penal nr. 178 viti 2022, rezulton e provuar se i pandehuri, Shuip Cami, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë, Dibër (njëkohësisht oficeri që ka kryer veprimet e para dhe ka referuar cështjen penale në Prokurori), i ka kërkuar dhe marrë të pandehurit, Flamur Kurti (i njohur i shtetasit Adrian Shahi) shumën monetare prej 3 000 euro në këmbim të premtimit të dhënë për favorizimin e pozitës procedurale të shtetasit, Adrian Shahi në çështjen penale në ngarkim të këtij të fundit, konkretisht procedimit penal nr.9/2020 të Prokurorisë, Dibër.
Fluturim Bajrami (lidhje krushqie e shtetasit Adrian Shahi) rezulton e provuar se i ka dhënë të ndjerit, Qemal Vranezi, në cilësinë e Specialistit të Policisë, SPZ pranë Komisariatit të Policisë, Dibër, shumën prej 2000 eurosh në mënyrë, që të bëhej i mundur pajtimi mes Adrian Shahut dhe Bukurosh Zagradit, duke u favorizuar në këtë mënyrë autorin e ngjarjes.
Ngjarja:
Aldo Puca, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër, njëkohësisht i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit, Adrian Shahi si edhe me ndjekjen e përgjimeve të komunikimeve dhe duke qenë në dijeni të komunikimeve telefonike dhe transkiptimeve të tyre, me përmbajtje korruptive, ka manifestuar sjellje të kundërligjshme dhe jo në përmbushje të detyrës së tij ligjore si; ndërprerja e përgjimit të komunikimeve te shtetasit, Adrian Shahi; mosreferimin e komunikimeve me përmbajtje korruptive në Prokurorinë kompetente, por vetëm dy vite më vonë dhe jo me iniciativën e tij në përmbushje të detyrës së tij ligjore por vetëm pasi viktima e veprës penale, Bukurosh Zagradi ka shprehur pakënaqësi për këtë fakt të kundërligjshëm në Gjykatën e Dibrës; mosreferimi i të gjitha komunikimeve me përmbajtje korruptive si dhe mosidentifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse kishte komunikime të qarta, për këtë fakt të kundërligjshëm, veprime këto të kryera nga i pandehuri me qëllim favorizimin e autorin e ngjarjes, Adrian Shahi, (me ndërprerjen e përgjimit ka mundur t’i shmanget drejtësisë për më shumë se një vit në arrati) si edhe shmangien nga përgjegjësia penale të oficerit të policisë gjyqësore, të pandehurit, Shuip Cami që përmendej qartazi në këto komunikime me përmbajtje korruptive.
/e.i/a.f/r.e/