“Një rrugëtim në historinë e lajmit”, ish-punonjësit ndajnë emocionet dhe kujtimet nga ATSH

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Ekspozitën “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, të çelur më 9 maj në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e kanë vizituar këto ditë edhe ish-punonjës, gazetarë dhe redaktorë që kanë punuar për shumë vite në këtë institucion, që për ta mbetet një aktor qendror në dokumentimin dhe transmetimin e informacionit ndër vite.
Të emocionuar ata ndajnë kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin e tyre në ATSH, ku kanë nisur punën të rinj dhe kanë kaluar vite të tëra, ku pjesa më e madhe e tyre kanë dalë edhe në pension në këtë institucion.
Ish-kryeredaktori i Lajmeve pranë ATSH-së, Selami Spahiu tha se “përvoja ime në Agjencinë Telegrafike Shqiptare është shumë e gjatë, 22 vite. Kam kaluar në disa shkallë aty që nga gazetar, redaktor, shef sektori, drejtor i departamentit të lajmeve nga vendi në periudhën 1993-1996, si dhe kryeredaktor. ATSH është një përvojë e jashtëzakonshme për gazetarët. Një përvojë për të njohur vendin, problemet, shqetësimet e popullit, qeverisë, por ishte edhe një përvojë profesionale”.
“Çelja e kësaj ekspozite është një gjë e mirë, pasi kujton rrugën e ATSH-së ndër vite”, tha Spahiu.
Elida Këllezi, një ish-punonjëse, e cila ka punuar prej 40 vitesh në këtë institucion, kujton ndryshimet e mëdha teknologjike që ka kaluar ATSH gjatë dekadave.
“E kam nisur punën në 1972 deri në 2012, kam punuar 40 vite. Puna ka evoluar aq shumë, kam filluar si teleshkruese, radiomarrëse, arritëm më pas te kompjuterat, faqosja, faqet e internetit dhe më pas me arkivimin e fotografive”, tregon Këllezi.
Duke vlerësuar ekspozitën fotografike, Këllezi u shpreh se shërben për njohjen e historisë së ATSH-së nga brezat e rinj.
“Është shumë e bukur, kam shumë nostalgji. Më vjen shumë mirë që gjërat nuk harrohen dhe është mirë për brezin e ri që të dijë se kush është ATSH-ja”, tha ajo.
Një ndër punonjëset që ka punuar me pasion në ruajtjen e fotove dhe arkivimin e tyre është Shpresa Zeraliu, e cila ka punuar prej 46 vitesh.
Zeraliu, e cilësoi aktivitetin si mjaft emocionues dhe falënderoi organizatorët për mundësinë për të kujtuar vitet e saj të punës në agjenci.
“Prania në këtë aktivitet na kujton punën tonë prej 46 vitesh. Që 18 vjeç kam filluar punë në ATSH ku ish-shefi im i asaj kohe Aristidh Lamani ka krijuar arkivën e parë të institucionit”, shprehet Zeraliu.
Ajo thekson se “ATSH ka qenë dhe vazhdon të jetë dashuria ime, kujtimet për ATSH janë jeta ime sot e kësaj dite”.
Kujtimet nga puna në ATSH kanë mbetur të rëndësishme për të, por edhe punonjës të tjerë edhe në aspektin njerëzor, ku kanë njohur edhe bashkudhëtarët e jetës së tyre.
“Në ATSH njoha edhe njeriun tim të jetës, Ylber Zeraliun, përkthyes i gjuhës frënge, i cili nuk jeton”, thotë Zeraliu.
Në ekspozitë takuam edhe vajzën e një prej punonjësve të vjetër, Luan Gjashta, i cili ka punuar për shumë vite në ATSH.
“Është shumë emocionuese pasi ne fëmijët jemi rritur me ATSH-në. Babi ka punuar tek transmetimi i lajmeve për agjencitë e huaja. Edhe mami ka punuar në të njëjtin sektor me babin më pas ka kaluar tek RTSH”, tha Irida Bonati (Gjashta).
Nga arkiva te mjedisi digjital, nga radio te televizioni, ekspozita e ATSH-së sjell një perspektivë mbi rolin e informacionit në ndërtimin e realitetit shoqëror.
Përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore, dëshmohet edhe përfshirja e Shqipërisë në rrjetet globale të informacionit që në dekadat e para të shekullit XX.
Një vend të veçantë zë themelimi dhe konsolidimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, si institucioni qendror i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit.
/k.s/r.e/a.f/