E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO mban nën sekuestër banesën e Kryemadhit, liron apartamentin e nënës së saj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lirojë nga masa e sekuestrit banesën e nënës së deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ndërsa ka lënë të pandryshuar masën për apartamentin e kësaj të fundit.

Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, Kryemadhi deklaroi se të dyja banesat janë përfituar në mënyrë të ligjshme.

“Është betejë ligjore që do durim dhe konsistencë nga ana jonë. Të dyja banesat, janë të dyja të përfituara në mënyrë të ligjshme, edhe prokurori e pranoi.

Ka dhe një avantazh. Unë futem pa radhë në Strasburg. Unë e kam marrë me shkëmbim apartamentin, si unë dhe mamaja ime. Sot u bë shpallja e vendimit. Vetëm lexoi vendim të shkurtuar gjyqtarja. Edhe prokurori vetë e pranoi. Nuk ka as koherencë, as fakte. Ti bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare të paraqitur. Është absurde dhe krijon precedent shumë të keq”, deklaroi Kryemadhi.

Deputetja sqaroi se një ditë më parë prokurori ngriti pikëpytje mbi çështjet për të cilat gjykatat kanë folur, duke u ndalur këtu te videoja e ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe çështjen CEZ–DIA.

“Prokurorët ngritën dje arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Metën në korrupsion nga videoja e Dritan Priftit. Prokurori mendoi se çështja ishte pushuar. Ne i thamë se çështja nuk u pushua, por u gjykua në themel dhe ka dalë 5 me 0. Për CEZ–DIA ku pretendojnë se Fatimja ka bashkëpunuar me Metën për të blerë banesën, Fatimja e ka blerë banesën në mars, ndërsa Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë të CEZ–DIA. Vepra për të cilën dyshon Dumani bëhet fjalë për në dhjetor të 2010-ës”, theksoi deputetja.

Monika Kryemadhi është nën hetim për akuzat e korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë. Vendimi për sekuestrimin e pasurisë është lidhur me hetimet ndaj Kryemadhit, ndërsa më 19 nëntor Gjykata e Apelit la në fuqi masën “Detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se në burg ndodhet ish-presidenti, Ilir Meta, ish-bashkëshorti i Kryemadhit, pasi akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ–DIA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›