GJKKO refuzon përjashtimin e trupës gjykuese. Gjykata e Lartë nuk vendos për betimin e Belerit

Gjykata e Lartë ka ngarkuar Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) që të vendosë për betimin ose jo si kryebashkiak të Fredi Belerit, kreut i zgjedhur të bashkisë së Himarës, por aktualisht i paraburgosur.
Beleri kishte apeluar më parë Gjykatën e Posaçme dhe Gjykatën e Durrësit që t’i jepej leja për t’u betuar, por të dyja organet shpallën moskompetencë. Gjykata e Durrësit ia kaloi çështjen për shqyrtim Gjykatës së Lartë, e cila edhe në muajin qershor rrëzoi një kërkesë të avokatëve të Belerit.
Rrëzohet kërkesa për ndryshimin e trupës gjykuese
Ditën e martë (7 nëntor) GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e radhës të Belerit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe të gjithë trupës gjykuese.
Në seancën e së martës dëshmoi me dyer të mbyllura kallëzuesi Arsen Rama, i cili edhe e denoncoi Beleri për blerje votash, ndërsa ishte kërkesa e Prokurorisë që Rama të pyetej me dyer të mbyllura. Dëshmitë e tjera do të jenë të hapura.
Sipas Prokurores Dorina Bejko, Arsen Ramës i është dëmtuar në Vlorë makina e tij dhe e bashkëjetueses dhe rasti është referuar nga Policia e Vlorës.
SPAK-u e ka ngarkuar Belerin me veprën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Fredi Beleri ka premtuar 50 euro për çdo person që do të votonte për të. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
/rtsh.al/