E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjykata Evropiane u jep të drejtë familjeve të viktimave në çështjen Gërdeci

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) zbuloi të martën (7 nëntor) se drejtësia shqiptare nuk ka ndjekur procedurat e duhura për çështjen “Gërdeci”, duke u dhënë të drejtë familjeve të viktimave.

GJEDNJ-ja njoftoi se familjarëve të viktimave të tragjedisë së marsit 2008 nuk u është garantuar pjesëmarrja “efektive” në seancat gjyqësore.

“Për më tepër, akuzat penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes [Fatmir Mediu] për shpërdorim detyre janë ende në fuqi dhe pala tjetër nuk ka një vendim final për sa i përket përgjegjësisë së tij më shumë se 14 vjet pas shpërthimit,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Evropiane.

Ish-ministri Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe po gjykohet edhe nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Çështja ndaj tij dhe gjykatave shqiptare është ngritur në GJEDNJ nga Zamira dhe Feruzan Durdaj, dy prindërit e 7-vjeçarit Erison Durdaj, i cili humbi jetën nga plagët e marra si pasojë e shpërthimit në depon e çarmatimit të municioneve luftarake.

Gjykata Evropiane ka urdhëruar shtetin shqiptar që të zhdëmtojë me 12 mijë euro Zamira dhe Feruzan Durdaj dhe me 10 mijë euro familjarët e tjerë që janë pjesë e padisë së ngritur.

Më 15 mars 2008 mbetën të vrarë 26 persona dhe rreth 300 njerëz u plagosën. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›