GJKKO sekuestron apartamentin e Ilir Beqajt në Vlorë

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, apartamentin e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Lungomare të Vlorës.
GJKKO ka caktuar masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, mbi apartamentin me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, i cili ndodhet në Lungomare, pasuri e lidhur sipas SPAK me personin nën hetim Ilir Beqaj.
SPAK njofton se nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendndodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim Ilir Beqaj.
“Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.”
Sipas SPAK, Beqaj nuk ka deklaruar shpenzimet për investimin dhe mobilimin e apartamentit.
“Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të”, njofton SPAK.
SPAK bën të ditur se “nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë: Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
“Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qirasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019”, njofton SPAK.
Sipas SPAK “të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës”.
Bazuar në faktet e mësipërme, SPAK ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 20.09.2024, ka vendosur: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
“Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës”, njofton SPAK.
Ilir Beqaj prej 4 korrikut ndodhet në burg, pasi është arrestuar me urdhër të SPAK për abuzimet me fondet e BE në SASPAC.
/r.e/a.f/