GJKKO zgjat me tre muaj masën “arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen e afatit të paraburgimit për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Gentian Gjyli dhe ish-drejtorin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) Erald Elezi, me tre muaj të tjerë.
Gjyqtari Erjon Çela vendosi zgjatjen me 3 muaj të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin.
Sipas vendimit, afati i ri do të nisë menjëherë pas përfundimit të afatit aktual të masës për secilin prej të pandehurve.
Gjithashtu, gjykata bëri të ditur se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar akuzon Gentian Gjylin dhe Erald Elezin për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
/m.q/r.e/a.f/