E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – OKB: Izraeli të parandalojë gjenocidin në Gaza

NJU JORK, 18 maj /ATSH-AFP/ – Kombet e Bashkuara kërkuan sot që Izraeli të marrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza duke denoncuar shenjat e spastrimit etnik, të vërejtura në territorin palestinez dhe në Bregun Perëndimor.

Në një raport të ri, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut deklaroi se veprimet e Izraelit në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, përbëjnë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, që shpesh arrijnë në krime lufte dhe mizori të tjera”.

Në përfundim të raportit, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i bëri thirrje Izraelit të sigurojë pajtueshmërinë me një urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2024 që kërkon që ai të marrë masa për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza.

Sipas tij, Izraeli duhet të sigurojë “me efekt të menjëhershëm që ushtria e tij të mos kryejë akte gjenocidi dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe ndëshkuar nxitjen e gjenocidit”.

Një komision i mandatuar nga OKB-ja dhe disa OJQ, përfshirë ”Amnesty International” dhe ”Human Rights Watch”, e kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza.

Izraeli i hedh poshtë këto akuza si “të rreme” dhe “antisemite”.

Ky raport, i cili mbulon periudhën nga 7 tetori 2023, kur një sulm i paprecedentë i Hamasit në Izrael shkaktoi një ofensivë izraelite në Gaza, deri në maj 2025, dënon gjithashtu “shkeljet e rënda” të kryera nga grupet e armatosura palestineze.

Sulmi i Hamasit rezultoi në vdekjen e 1 221 personave në anën izraelite, kryesisht civilë.

Raporti gjithashtu thekson abuzimet e pësuara nga pengjet e kapura nga grupet e armatosura palestineze, shumë prej të cilëve raportuan tortura dhe sulme seksuale ndërsa mbaheshin “në kushte çnjerëzore” për muaj të tërë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›