E Shtunë, 31 Tetor 2026

GOZHDIMI I SOVRANIT

Gazeta Shqip

LEONARD BODURI 

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin një hap i rëndësishëm në përmbysjen e demokracisë funksionale në vend dhe në instalimin e një feudalizmi proporcional rajonal. Në atë kohë, gojët e liga thanë se ky sistem ishte një prerje me porosi për të eliminuar politikisht partitë e vogla dhe në veçanti për të nxjerrë nga skena politike Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në atë kohë u zhvillua edhe një grevë urie në Parlament për të kundërshtuar miratimin e një sistemi zgjedhor kryekëput në favor të dy partive të mëdha. Gjithsesi, marrëveshja e dy partive të mëdha u miratua me konsensus të gjerë, duke përfshirë këtu edhe votën e disa partive të vogla që kryen harakiri me përulje dhe me dëshirë. Partitë e mëdha si rrallëherë e harruan kacafytjen pasionante sistematike në historinë e komunikimit të tyre dhe ranë në një mendje, duke u treguar maksimalisht pragmatiste. Ato argumentuan se ky sistem largonte mundësinë që sferat e vogla të politikës shqiptare (partitë e vogla) të gllabëronin sferat e mëdha të saj, pra vetë ato. Mirëpo në këtë arsyetim ato nuk arritën të fshihnin despotizmin e tyre dhe të gllabëronin vullnetin e qytetarëve shqiptarë brenda sferave të tyre të vogla partiake. Në këtë mënyrë filloi gozhdimi i sovranit” nga dy polet e mëdha të politikës.

Sovran me demek është referimi që partitë politike bëjnë për popullin në këtë palo sistem demokratik. Sovran është si populli që ngrihet herët dhe me vrull revolucionar në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve, që nxiton dhe mban radhën për të votuar, ashtu edhe ai populli i bezdisur nga ky proces teatral që merr pjesë në votim me idenë që mezi mbahet më këmbë se vullneti i tij ka akoma peshë. Sovran quhet edhe ai popull që më në fund e ka kuptuar se si e kanë paracaktuar dhe gozhduar vullnetin e tij në këtë vend dhe nuk harxhon asnjë sekondë të kohës së tij për të marrë pjesë në teatrin modern demokratik. Që në nisje të tij ky proces është i manipuluar dhe i padrejtë, duke e gozhduar sovranin sipas qejfit të partive politike që e kanë rajonizuar Shqipërinë në principata të preferuara dhe më pak të preferuara zgjedhore. Në një konflikt të hapur interesi, vetë po ata kandidatët për përfaqësues të sovranit kanë vendosur në tavolinën e pazareve demokratike ndarjen e peshës së votës nga një principatë zgjedhore në tjetrën. Me pak fjalë, vota e sovranit nuk është e barabartë nga njëra principatë në tjetrën dhe nenet e Kushtetutës së vendit që e përcaktojnë qartë këtë të drejtë, janë hedhur defacto në koshin e plehrave.

Qytetarët shqiptarë mbajnë mbi vete gozhdimin e pafuqisë së votës së tyre që u është damkosur në mendjen e tyre me të gjitha mjetet. Një tjetër arsye demoralizuese mbi vlerën e votës është mënyra se si administrohen votat e zgjedhësve në këtë vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhej të luante rolin e gardianit të vullnetit të sovranit nuk është tjetër veçse një institucion tejet i politizuar. Anëtarët e këtij bordi aksionerësh janë vasalë të bindur të partive që i kanë propozuar dhe votëbesuar në Parlament. Misioni i anëtarëve të KQZ-së është ekskluzivisht në shërbim të partive parlamentare, por jo në shërbim të leximit korrekt të votës së qytetarëve. Në këtë mënyrë, partitë e reja që duan të konkurrojnë në zgjedhje gjenden të ekspozuara nga manipulimet që mund të kryhen nga numëruesit e politizuar me bekimin e KQZ-së. Në shkathtësinë e numëruesve luhet fati i partive politike për të cilat ata militojnë dhe largimi i partive nga karriget pushtetmbajtëse mund të bëjë që të fluturojnë vendet e tyre të punës. Me pak fjalë, ata nuk merren me mbushjen e autobusëve me mitingashë, as me proklamimin e programeve politike, por ata janë thjesht mjeshtër të numrave të shpejtësisë dhe deformues profesionistë të vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

Gozhdimi i sovranit është një strategji e mirorganizuar në disa drejtime. Kjo strategji fillon me kornizën ligjore, paçka se mund të jetë antikushtetuese, konsolidohet me administrimin feudal të zgjedhjeve dhe finalizohet me shantazhimin e votuesve me mënyra bashkëkohore. Së pari si në pushtetin qendror edhe në atë vendor organizohet me kujdes votimi me listë i të punësuarve në administratë dhe familjarëve të tyre. Një tjetër angazhim i rëndësishëm është votimi i organizuar me mjete motorike i atyre që mbase nuk arrijnë dot në kohë për shkak të largësisë apo moshës së thyer. Një betejë të fortë përjetojnë autobusët me emigrantë që vijnë në mënyrë të organizuar nga partitë politike me shpenzimet e këtyre të fundit. Në grupin me më pak shpenzime vijnë ata që votojnë në këmbim të pagimit të listës së borxheve te marketi i lagjes apo në këmbim të një vlere monetare për të luftuar sadopak mjerimin e përditshëm. Kjo maskaradë demokratike kryhet ditën për diell nga të gjitha palët politike që kanë sadopak pushtet administrativ apo financiar.

Sovrani shqiptar i gozhduar fort nga të gjitha anët, vetëm sovran nuk mund të jetë. Vullneti i tij është maksimalisht i deformuar nga ndikimi i regjimit aktual. Për korrektesë, ky regjim nuk mund të identifikohet me një ngjyrë të vetme. Madje, deri diku ai është një regjim i ekuilibruar, pasi ndikimi i pushtetit qendror përplaset me ndikimin e pushtetit lokal të ngjyrave të ndryshme. Ky që jetojmë është një regjim kameleonik, në të cilën përplasja e ngjyrimeve politike natyrisht nuk sjell një klimë të ekuilibruar politike që të mund të garantojë vullnetin e qytetarëve, por secila bandë politike në të gjitha nivelet ku mund të ushtrojë pushtetin e saj ka një synim të vetëm gozhdimin e vullnetit të qytetarëve në favor të forcës politike që përfaqëson. Të flasësh për moral në këtë pikë do të ishte e tepërt. E vetmja zgjidhje afatgjatë do të ishte një ndryshim rrënjësor i rregullave të lojës demokratike, pse jo me një referendum që është ku e ku më i rëndësishëm se një referendum i drejtë tashmë i përcaktuar si ai i importit të plehrave. Vetëm në këtë mënyrë sovrani do të mund të zhgozhdohet njëherë e mirë nga partitokracia e tejskajshme…

GOZHDIMI I SOVRANIT burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›