E Shtunë, 31 Tetor 2026

"GRAHMAT" E FUNDIT TE NACIONALIZMIT EKSTREM SERB

E kam fjalën për shfaqjet e mendësisë nacionaliste ekstreme dhe veprimet e dënueshme të nacionalistëve ekstremë serbë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në Preshevë. Ngjarjet më të fundit në këto dy qendra qytetare kanë në origjinë dhe si ideues e realizues nacionalizmin dhe nacionalistët të mbështetur e të nxitur shtetërisht nga Beogradi zyrtar. E me gjithë elementët e përbashkët nxitës e mbështetës të manifestimit të nacionalizmit serb në Mitrovicë e Preshevë, nuk mund të mos vëmë në dukje një dallim të dukshëm mes tyre: dhuna antishqiptare e nacionalistëve serbë në Preshevë u shfaq në emër dhe në zbatim të drejtësisë së shtetit të Serbisë; aktet dhunuese të nacionalistëve serbë në Mitrovicën e Veriut u demonstruan të maskuar si reagim antishqiptar i qytetarëve serbë për të fshehur nxitjen dhe përkrahjen shtetërore të Serbisë.

Arsyet pse po përdoret fryma ekstremiste nacionaliste serbe në trevat etnike të shqiptarëve janë të kuptueshme. Shteti serb, që për asnjë moment nuk është pajtuar dhe që vazhdon me "kokëfortësi" të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të njohur deri tashmë nga 54 vende, anëtare të OKB-së, këmbëngul në mënyrën më absurde në mosnjohjen e shtetit tonë dhe në provokimin e akteve destabilizuese në mbarë trevat shqiptare. Serbia, megjithëse ka hyrë në rrugën e zhvillimeve demokratike, është ende larg të gjykohet për disiplinimin dhe mposhtjen zyrtare të psikologjisë nacionaliste. Përkundrazi, kjo psikologji, natyrshëm shfaqet në veprime të dëshpëruara agresive, por që shihet qartë se ka mbështetje shtetërore. Nacionalizmi serb po shfaqet si ekstremist në veriun e Mitrovicës, në ndërtimin e ujësjellësit të Graçanicës, në periferitë e Prishtinës dhe kryesisht e fuqishëm në rrafshin ndërkombëtar. Shteti dhe diplomacia serbe kanë bërë dhe vazhdojnë kokëfortësish e në vazhdimësi përpjekje "ekstreme" për frenimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, duke pretenduar edhe arritjen e absurdit logjik: Delegjetimin e Pavarësisë së Kosovës përmes parashtrimit e "vendimit" që mund të merret për këtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Ekstremizmi, i çfarëdo natyre qoftë, fetar, ideologjik, politik apo kombëtar, është tejkalim i masës, është anormalitet. Kjo është arsyeja pse pretendimet, kërkesat e veprimit të ekstremistëve nacionalistë serbë ndaj shtetit të Kosovës konsiderohen dhe çmohen përgjithësisht nga politika ndërkombëtare si jorealiste. Bashkësia e shteteve demokratike të botës jo vetëm e di mirë këtë, por edhe është deklaruar, përmes organizmave ndërkombëtarë, në kundërshtim me pretendimet ekstreme të nacionalizmit serb. Serbia është një shtet dhe një nacionalitet i krijuar para 200 vjetësh, që historikisht ka komanduar popujt e tjerë të njësive shtetërore dhe në vazhdimësi ka "injektuar" te çdo përfaqësues i etnisë serbe "virusin" e superioritetit të kombit serb mbi qytetarët e etnive të tjera. Serbët, jo vetëm ndiheshin, por edhe faktikisht ishin superiorë në postet shtetërore. Me shembjen në mbarë Evropën të sistemit komunist, shembja më e dhimbshme u bë në ish-Federatën e Jugosllavisë. Shkatërrimet, qindra mijëra të vrarë, dhunimet, burgimet e dëbimet nga trojet, kanë lënë plagë psikike, psikologjike, familjare e kombëtare. Shkaktare e pasojave të kësaj shembjeje është Serbia, është nacionalizmi ekstrem serb. Dhe ky ekstremizëm, tashmë i dështuar në Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni, që nuk u shfaq dhunshëm në Maqedoni, po vazhdon të shfaqet, herë herë edhe dhunshëm në shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Janë përpëlitjet, "grahmat" e fundit të tyre, sepse nxiten e shpresojnë të venë në vend "nderin e humbur".

Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, që ka miratuar dhe respekton Kushtetutën, një nga kushtetutat më liberale në botë për njohjen dhe respektimin preferencial të statusit dhe të të drejtave të minoriteteve, duke specifikuar posaçërisht pakicën serbe. Është në interes dhe në dobi të qytetarëve serbë të shtetit tonë, të asaj pjese që vazhdon të jetë nën efektin e "vaksinës nacionaliste ekstreme", të bëhen më realistë dhe më bashkëpunues për t‘i kontribuar si qytetarë mbarëvajtjes së jetës së tyre, që tashmë është e kushtëzuar dhe e lidhur ngushtë me mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›