E Diel, 1 Nëntor 2026

Histori e shanseve të humbura

Djemtë e thjeshtë të Toçit më kujtojnë... Mit‘hat Frashëri ka një tregim, të cilin dhembja e madhe për fatkeqësitë e këtij vendi ia ktheu në profeci. "Plaku i Ylynecit" qe një dhembje që dilte nga zemra e Shkëmbit të Lunecit, në kohën kur mbi botë po mbështilleshin retë e zeza të Luftës së Dytë Botërore. Një dhembje që e bënte shkëmbin të ligjëronte shqip: Mblidhni mendjen shqiptarë! Mblidhni të gjitha energjitë që ta përballojmë gjëmën, pa e ndezur flakën e luftës botërore edhe ndaj njëri-tjetrit. Jemi shumë pak për t‘u ndarë e jo më për të vrarë vëllai-vëllanë. Fati i Shqipërisë është një fëmijë i pambrojtur, i varur në humnerën e Lunecit. Është në dorën tonë të mos e lëmë të ardhmen e vatanit të bjerë si foshnjë e pambrojtur në valët e lumit të turbullt!...

Të paktën kështu e kuptoj unë thirrjen që dëgjoi atëkohë Lumo Skëndo nga dhembja e Shkëmbit të Lunecit. Thirrje që, për fatin e keq të këtij vendi, e mori lumi i turbullt i greminës së Lunecit. Nuk e dëgjuan shqiptarët thirrjen e Frashërlliut të fundit. Iu duk si përrallë dimri ajo histori, në të cilën çahej shkëmbi nga dhembja, ajo histori ku fliste shkëmbi si njeri. Dhe i hapën mendje e zemër vetëm për vargjet kushtrim të Malëshovës, që vinte me udhëzimet e Kominternit. Besuan vetëm gjysmën e të vërtetës që përshkruhej në poezinë e Malëshovës se duket nuk e rrokën dot profecinë e Frashërlliut. Nuk e besuan dot dhembjen e shkëmbit, as kur dora e Plakut të kohës e kish shtrënguar gjer në gjak krahun e Frashërlliut...

Dhe humbën përsëri një shans tjetër. Humbën shansin e mirë për ta përballuar të bashkuar Luftën Botërore, shansin për të nisur po të bashkuar edhe rindërtimin e vendit pas mbarimit të luftës. Humbën shansin për të dalë nga lufta me sa më pak plagë. Humbën përsëri shansin shqiptarët për të ecur më përpara në udhën e lirisë. Harruan dhembjen e shkëmbit shqiptarët, harruan thirrjen e kohës dhe nisën të merren me njëri-tjetrin, me kush e ka fajin e kush është më i miri, kush është më dinaku, kush gënjen më shumë e kush të tremb më tepër, kush ishte më i bukur e kush ishte më i gjatë, kush e kishte më mjaltë me Stamo Dumon e kush e kishte më qumësht me Çinin Maçin...

Dhe faji doemos u mbeti djemve të Toçit, që dëgjojnë dhe sot Plakun e Lunecit... U mbeti atyre, që u përpoqën për të mbetur të bashkuar në luftë e në paqe. Atyre që besonin se ishim shumë pak për t‘u ndarë në palë ndërluftuese, në një kohë që luftë kishte bota me të tepërt për shqiptarët e për mbarë njerëzimin. E humbën dhe një shans tjetër shqiptarët për të mos i ndarë dhe të rënët për liri në dy palë kundërshtare. E humbën shansin për të dalë nga lufta botërore me flamurin e panjollosur të Kastriotit. Edhe ata që u bashkuan me fitimtarët, duket se e bënë këtë jo në emër të lirisë, por në emër të pushtetit absolut. Dhe ua morën atdheun pushtuesve fashistë për t‘ia bërë fli diktaturës komuniste. Edhe të rreshtuarit me fitimtarët e luftës dolën si fitimtarë të luftës dhe humbës të paqes, si për popullin dhe për vete.

Të gjitha këto m‘i kujtojnë ata djem të thjeshtë e atdhetarë të mirë të Toçit të Tepelenës, që vishen me Flamurin Kombëtar edhe në sallën e Gjykatës së Qarkut Gjirokastër. "Gjykatë"(!) mbase nuk është emri i duhur për këto institucione tani që trashëgimtarët e Partisë së Punës i kanë kthyer të gjitha institucionet e shtetit në tregje të "Gabit", ku fiton gjithmonë ai që parapaguan më shumë. Se edhe trashëgimtarët besnikë të Partisë së Punës po e humbasin shansin me të njëjtën mendjelehtësi të të parëve të tyre.

Të mos humbasim më shansin që na jep koha.

Nëse të parët e tyre janë tashmë një histori e shkuar, këta trashëgimtarët e atij regjimi, që ndërruan fenë brenda natës, nuk e kanë për gjë fare të humbasin tok me shansin dhe faqen. Madje faqen e bardhë e quajnë duke qeshur "mbeturinë borgjeze" dhe naivitet idealistësh e iluzionistësh, në një kohë kur i janë përveshur parakapitalizmit të hajdutëve me pushtet të trashëguar. Trashëgimtarët e pushtetit të sotëm (me cilëndo fanellë ekipore që paraqiten në fushën e lojës) e nisën politikën e partisë me kapardina të bardha, duke pasur si meritë të vetme faqen e tyre të zezë.

Ja, ta zëmë se babai i tyre shpirtëror u detyrua nga frika e zullumeve për të ecur sipas "kongresit të vazhdimësisë", po të besuarit e tij pse nuk flasin shqip me shqiptarët, po rropaten me sallatë fjalësh neolatine, në vend që të kishin bërë me kohë ca pak gjëra fare të thjeshta:

1. Të shpinin Pronën tek i zoti

2. Të vendosnin Ligjin dhe Rendin

3. Të bënin ndarjen e shoqërisë shqiptare nga hijet e hidhura të diktaturës

Shumëkush do të thotë dhe jo pa të drejtë: Historia nuk bëhet me "sikur", mor lum miku! As unë nuk them të qajmë për "sikur"-et e ikura, por mendoj se duhet t‘i kujtojmë ato që të mos vijojmë përherë të humbasim shansin që na jep koha me bujari.

Besoj se nuk na bën keq të kujtojmë se, as Mbreti Zog nuk kishte pse ia mbathte nga Kapshtica, pa dalë ca ditë në Malin e Skënderbeut për të komanduar forcat e Abaz Kupit e Mujo Ulqinakut me shokë, që e pritën me armë pushtuesin fashist. Po të kishte vepruar ashtu, do të kishte bërë detyrën e tij si mbret, atë detyrë që bënë atëherë të gjithë mbretërit e Evropës. Këtij më duket se i thuhet shqip: shans i humbur dhe jo vetëm për mbretin e kohës.

Po të rreshtuarit me fitimtarët e luftës përse duhet të futeshin me aq zell në radhët e shtrënguara të kolonive sovjetike, kur mund të bashkëpunonin fare mirë me të gjithë aleatët dhe të mos e katandisnin vendin në një kalifat të kuq, ku dhe për qumështin e nënës për fëmijët duhet t‘i binte bretku babit në radhët e gjata të natës për ta marrë? Vërtet kërkonte zhvillimin e vendit regjimi gjakatar i Hoxhës, apo dhe planet 5-vjeçare i kishte për pastrimet periodike "të fletës së tretë të panxharit" të oborrit dhe për të ruajtur pushtetin personal në kundërshtim me zhvillimin e shoqërisë? Pse të kërkonin me aq nervozizëm dy fqinjë tanët - njëri mbretëri dhe tjetri regjim komunist - që "në Tiranë të mbetej regjimi i Hoxhës, ndryshe nuk do të kishte paqe në Ballkan"?...

Po trashëgimtari i vetëm i regjimit të Hoxhës, pse e nisi udhën e sundimit me "kongresin e vazhdimësisë", në vend që të hapte burgjet politike, të hapte kufijtë e të lejonte pluralizmin real? Mos qe meraku për pluralizmin politik edhe krijimi i "tufëzave dhe arëzave" politike në zyrat e tij? Pse duhet të rrënohej çdo gjë e ngritur me djersë skllavi për 50 vjet robëri, që nga ullishtat e vreshtat, brezaret me pemishte, kanalet kulluese dhe ujitëse, uzinat e fabrikat e shkollat e spitalet që qenë? Për t‘i hapur rrugë zhvillimit, apo për ta shpurë Shqipërinë 100 vjet prapa?

Nuk besoj se ka njeri normal të mendojë se nga zhvillimi i këtij vendi tremben vetë banorët e tij, shqiptarët...

Po "kapardinat e bardha" pse kanë dy dekada që e djegin vendin sa herë që mërdhinin më një krah fasliçët e më krahun tjetër palojorgot dhe nuk lejojnë as zgjedhje të lira brenda partive të tyre -"çeta" të ngritura në zyrat e veshura me dyshek, nuk lejojnë as zgjedhje të lira politike, nuk lejojnë konkurrencën e lirë me ligjet e tregut, por e mbytin tregun me "referenca" biografike? Pse nuk e kthejnë pronën tek i zoti që të hapet drita jeshile për investimet vendase a të huaja normale dhe jo për mafien rajonale? Pse dhe të përndjekurve politikë u vënë në krye kuadrot e djeshme të bashkimeve profesionale apo "kapot" e burgjeve të diktaturës, edhe ashtu si i kanë katandisur në shtatëmbëdhjetë shoqatëza? Pse duhet të tallen dhe me të burgosurit politikë të diktaturës, duke u kërkuar të gjejnë "sa vjeçe është gjyshja e portierit të pallatit me aq kate e kaq dritare" si te Shvejku, në vend që me zbatimin e ligjit përkatës të merren institucionet e linjës dhe të burgosurve t‘u kërkohet vetëm adresa apo thjesht plotësimi i një formulari të vetëm? Mos e bëjnë nga meraku për t‘i dëmshpërblyer, apo kanë ende për ta urrejtjen klasore me të cilën ngjitnin ata dikur, si dëshmitarë të zjarrtë të gjyqeve politike, shkallët e pushtetit "të lavdishëm të burrit ma të madh që ka qit Iliria"?

Më duket se përsëri dëshirojmë të humbasim shansin e radhës që na jep koha.

Pushtetarët tanë kanë kohë që dëshirojnë vetë të humbasin shansin që u jep koha bujare për të bërë një herë detyrën e tyre - të hapin udhën e zhvillimit të këtij vendi. T‘i hapin udhë dekomunistizimit real të shoqërisë, duke i hapur vërtet dosjet e zeza të së shkuarës e jo duke i përdorur ato për të siguruar më mirë pushtetin e tyre të sëmurë dhe për ta lënë vendin në dorë të pseudonimeve me pushtet, që për dy dekada bërtasin se do hapin dosjet. Sado që të përpiqen pushtetarët tanë të fyejnë inteligjencën e shqiptarëve, duke ulëritur tribunave kundër krimeve të komunizmit me teserën e komunistit në xhepin e këmishës, kjo nuk është koha e saçit të hekurt të Hoxhës, por koha e qiellit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Pastaj është koha e një patriotizmi të ri e të shëndetshëm që vihet në bankën e të akuzuarit si djemtë e mirë të Toçit të Tepelenës, pikërisht sepse tremb të gjithë ata që kanë qenë e janë kundër mëkëmbjes së këtij vendi dhe zhvillimit të natyrshëm të shoqërisë sonë.

Patriotizmi i ri i djemve të Toçit është nisja e një ere të re, që duhet ta ndihmojmë të gjithë për të arritur të gëzojmë dhe ne liritë e të drejtat e patjetërsueshme të njeriut, të gëzojmë dhe ne pluralizmin real e jo atë të stisurin e këtyre dy dekadave teatër të dhimbshëm me aktorët e estradës politike të Partisë së Punës, të përballen dhe te ne alternativat e shëndetshme në zgjedhje të lira dhe jo të çirren e të pështyhen kaposhët faqezinj të "kapardinave të bardha" për të ruajtur regjimin e vjetër me tualet të ri, të gëzojmë dhe ne fqinjësi dinjitoze me njohjen e hapur të interesave jetike reciproke dhe jo të sillemi si shtet i dështuar duke hequr dhe flamurin e Kosovës për t‘u bërë qejfin fasliçëve. Patriotizmi që na mësojnë djemtë e Toçit, me të rinjtë e gjithë trojeve shqiptare, është për t‘i mbajtur sa më të ngushta lidhjet me aleatët strategjikë të shqiptarëve dhe jo të marrosemi sa t‘u japim dhe etërve të demokracisë leksione të demokracisë proletare nga ato të shkollës "Lenin" të Laprakës. Kështu më duket se nuk do ta humbasim më shansin që na jep koha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›